
TIRANË- Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Orgaizuar (SPAK) Altin Dumani ka kërkuar këtë të premte në Komisionin e Ligjeve para nga qeveria për funksionimin e institucionit. Sipas Dumanit, prokurorët dhe stafi i SPAK po punojnë në ambiente që nuk përmbushin nevojën, prandaj është marrë dhe një godinë ngjitur me godinën e ekzistuese por që për ta vënë në funskion duhet mbështetje buxhetore nga qeveria.
Gjatë fjalës së tij, Altin Dumani kërkoi nga deputetët (socialistët pasi demokratët vijojnë bojkotin) shtesë buxheti 309 milionë lekë për vitin 2024 që institucioni të funksionojë si duhet. Vetë Ministria e Financave ka parashikuar alokim fondesh të ndarë për vitin 2024 dhe pjesën më të madhe në 2025-ën. Por SPAK e kërkon mbështetjen tani.
Altin Dumani: Është bërë një ndarje, një pjesë në vitin 2024, një pjesë në vitin 2025. Bëhet fjalë për një godinë që na është dhënë neve në përdorim dhe kemi nevojë për fondet buxhetore që ta kthejmë funksionale brenda vitit 2024. Vazhdojmë punojmë tej kapaciteteve, shumë persona në një zyrë dhe nuk plotësojë stafin sepse nuk kemi realisht ambiente ku të vendosim punonjësit tanë.
Prokuroia e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), u krijua më 19 dhjetor të vitit 2019 dhe ka për mision ndjekjen penale dhe hetimin e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe çështjeve penale. Deri më tani shumë zyrtarë të lartë të shtetit kanë përfunduar në pranga ndërsa persona të botës së krimit kjanë vënë para drejtësisë./Zëri.ai