Aktualitet

Abuzime me tenderat dhe ilaçet që u mungojnë pacientëve, tabloja e frikshme e KLSH për atë që la pas Albana Fico

Një skaner të brendshëm të QSUT-së na e jep raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i publikuar më Dhjetor 2023.

k.m.
Abuzime me tenderat dhe ilaçet që u mungojnë pacientëve,
Albana Fico

TIRANË- Albana Fico u largua nga drejtimi i Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Teresa" pas 3 vitesh që kishte nën kontrollin e saj, një prej institucioneve më të rëndësishme shëndetësore në vend. Por pas ka lanë një varg të gjatë njollash të zeza, që kapën kulmin me zjarrin që përfshiu Urgjencën dhe që prej tashmë disa javësh nuk funksionon më. Prokuoria e Tiranës i ka nisur hetimet por ende nuk është gjetur një përgjegjes për atë që mund të kishte rrezikuar jetën e qindra pacientëve që ndodheshin atë natë për t'u mjekuar. Duke qenë se ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu tha se largimi i Ficos kishte të bënte me sjelljen e një fryme të re, të fokusohemi pak tek e shkuara e saj. Një skaner të brendshëm të QSUT-së na e jep raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i publikuar më Dhjetor 2023.

ENDOSKOPIA "shqiptare"

Kontrolli i Lartë të Shtetit ka zbuluar se kompania që ka fituar tenderin në vitin 2022 për instalimin e pajisjes endoskopike nuk ka tagrin ligjor dhe teknik për ta kryer këtë proces. Pra pajisja që përdoret për t'u futur në trup, nuk është e specializuar për ta kryer kërë shërbim. Pacientët në këtë rast mirë që nuk marrin shërbimin e nevojshëm, bazuar në rregullat dhe standarde, por u rëndon edhe xhepat nga taksat që paguajnë. Ajo që është më e rëndë, përveç dëmit në para është fakti që KLSH nënvizon se më këtë gafë mjekësore, dëmi në jetë është i pallogaritshëm. KLSH rekomandoi ndjekjen ligjore, por...nuk ndodhi! 

GJETJA: Kontrata është lidhur me Nr. 1387/28 prot., datë 18.10.2022, ndërmjet QSUNT sha të përfaqësuar nga znj.A.F. në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm dhe operatorit/e shoqërisë “A., Shpk përfaqësuar nga administrator znj.E.Xh. për vlerën 17,184,000 lekë me TVSh, me afat të zbatimit të kontratës afat 60 ditë nga data e nënshkrimit të kontratës. Pjesët përbërëse të pajisjes të paraqitura në ofertën teknike kanë ardhur në Republikën e Shqipërisë dhe regjistruar në QKBPM, secila më vete në data dhe vite të ndryshme nga viti 2021-2022, me prodhues të ndryshëm dhe operatorë të ndryshëm, çka dëshmon se pajisja është
asambluar në Shqipëri. Procesimi/mbledhja (asamblimi) në një pajisje është bërë nga shoqëria “A.” Sh.p.k e cila nuk e ka tagrin ligjor/teknik për ta kryer këtë asamblim, referuar pikës 13.6.4 të VKM Nr. 731, datë 2.9.2015 “Për miratimin e rregullit teknik” Për Kërkesat Thelbësore, Vlerësimin e Konformitetit. Pajisjet janë të pashoqëruara me certifikatën e origjinës dhe raportet e testeve (test-raportin e fabrikës). Vlera 17,184,000 lekë përbën dëm ekonomik për QSUNT-në dhe Buxhetin e Shteti dhe duhet të dëmshpërblehet nga shoqëria “A.” sh.p.k. Ndërsa dëmi shëndetësor ndaj pacientëve është i
pallogaritshëm (pra shumë herë më i madh), pasi shërbimi ndaj pacientëve me këtë pajisje të asambluar në Shqipëri nga persona të palicensuar, pajisje pa kalibruar, pa raport instalimi dhe funksionimi, pa raport trajnimi për personelin, pa manuale shërbimi dhe përdorimi, pa raportet e testeve (test-raportin e fabrikës) është me risk të lartë për shëndetin e pacientëve.

Rekomandimi: Të kërkohet në rrugë ligjore, duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative, si edhe të gjitha shkallët e gjykimit, arkëtimi i vlerës 17,184,000 lekë nga shoqëria “A.” Sh.p.k. Kjo vlerë është përfituar padrejtësisht nga kjo shoqëri, pasi pajisja është asambluar në Shqipëri. Procesimi/mbledhja (asamblimi) i pjesëve në një pajisje është bërë nga një shoqëri e pa certifikuar/licencuar për këtë qëllim.

Një problem të ngjashëm ka edhe me pajisjen e elastografisë (teknikë ekografike që përdor ultratingullin në kohe reale për të vlerësuar fortësinë e indeve në organizëm).

GJETJA: Në datë 12 maj 2022, në PAI-n e Qendrës së Konsultave Ambulatore, u transferua nga PAI i Spitalit Infektiv, aparatura e elastografisë në vlerë 14,140,000 lekë. Më datë 20 korrik nga PAI i Spitalit Infektiv është sjellë në PAI-n e Konsultave Ambulatore një sondë, e cila nuk ka lidhje me sondën e inventarizuar të kësaj pajisje. Fakt i konstatuar në datë 9 gusht nga “B.”, me interpretimin se sonda e sjellë nuk është ajo e inventarit bazuar në numrin serial
dhe datën e kalibrimit të realizuar të prodhuesit, me Mirëmbajtjen Preventive 2021. Në lidhje me këtë çështje, znj. R.G. me detyrë administratore e PAI-t të Konsultave ka deklaruar/sqaruar se momentalisht aparatura elastografi në vlerën 14,1140,000 lekë është e vetmja në QSUNT si dhe rajon, e cila shërben për të nxjerrë analizat e funksionimit të mëlçisë, kryesisht për pacientët me Hepatit B dhe C, aparaturë së cilës i është vendosur një sondë tjetër dhe kjo duke mos qenë sonda e saj, aparatura shpesh herë kërkon kalibrimin e pajisjes. Referuar pikës 13.6.4 të VKM Nr. 731, datë 2.9.2015, “Për miratimin e rregullit teknik “Për kërkesat thelbësore, vlerësimin e konformitetit, klasifikimin dhe markimin të pajisjeve mjekësore” kalibrimi i pajisjeve mjekësore, është i detyrueshëm për të siguruar dhe vërtetuar se rezultatet të cilat vijnë nga këto pajisje janë të sakta dhe të sigurta. Modifikimi i pajisjes mjekësore me sondë tjetër, jo bashkëkohore në përshtatje të plotë me specifikat teknike të pajisjes së elastografisë, jo vetëm është shpenzim i tepër, por është risk i lartë për kryerjen e këtij shërbimi kaq të rëndësishëm për jetën e pacientëve. Përpos sa më sipër, transferimi i aparaturës së elastografisë është bërë jo vetëm i mangët, por edhe me tre muaj me vonesë, duke shkaktuar kështu mosdhënien e shërbimit për pacientet për tre muaj radhazi (shërbim i llojit të veçantë). Veprime në kundërshtim me Ligjin Nr. 10296, datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, me ndryshimet vijuese të tij, neni 2 dhe 408 Neni 8, Udhëzimin e Ministrisë së Financave Nr. 30, datë 27.12.2011, “Për menaxhimin e aktiviteteve në njësitë e sektorit publik”, me ndryshimet vijuese të tij, pika 93. (Trajtuar më hollësisht në pikën 2.4, faqe 131-178, të Raportit Përfundimtar të Auditimit).

Rekomandimi: Bordi i Spitalit të analizojë vlerën 14,140,000 lekë, e cila ka të bëjë me diferencë inventari (sondë) të pajisjes së elastografisë në PAI-n e Qendrës së Konsultave Ambulatore, jo vetëm që modifikimi me sondë tjetër është shpenzim i tepër, por është risk i lartë për kryerjen e këtij shërbimi kaq të rëndësishëm për jetën e pacientëve. Të evidentohen përgjegjësitë e të merret vendimi përkatës për zhdëmtim, vlerë e cila për QSUNT-në dhe buxhetin e shtetit përbën dëm ekonomik. Dëmi shëndetësor është i pallogaritshëm, pasi nuk u është dhënë shërbimi për tre muaj pacienteve me diagnozë (Hepatit B & C), por prej datës 21.08.2022 e në vazhdim, analizat e kësaj pajisjeje janë të pasigurta pasi nuk është kryer kalibrimi i kësaj pajisjeje (pas vendosjes së sondës së re).

DËMTIMET E TËRMETIT

Pediatria infektive ka kushtuar mbi 266 milionë lekë të vjetra, por u rrezikua nga tërmeti i 2019. Edhe pse u promovua disa herë ndërtimi i godinës së re, problemi qëndron në themel. 

“Investimi i godinës Pediatrisë Infektive në vlerën 26,638,885 lekë, nuk ka arritur zgjidhjen e qëndrueshmërisë së godinës me risk të lartë mbi qëndrueshmërinë dhe integritetin strukturor në rast tërmeti,”- thuhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Pra pasojat e lëkundjeve kanë dëmtuar themelet dhe jo fasadën, duke e bërë një pavion të rrezikshëm në rast se fatkeqësia natyrore do të përsëritet. KLSH raporton se projektuesi ka rekomanduar nxjerrjen nga puna të komplet katit të dytë teknik, duke parashikuar një jetëgjatësi prej 2 -3 vitesh dhe rikonceptimin e një godine të re, por nuk u mor parasysh.  Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon reagim urgjent dhe masa të menjëhershme për ngritjen e një grupi teknik me specialistë të fushës për përcaktimin e integritetit strukturor të godinës, ndryshe, pacientët do të jenë në mëshirë të natyrës. Një tjetër lëkundje e fortë dhe gjithçka do bjerë brenda. 

GJETJA: Referuar situatës së tërmetit të 26.11.2019, nga analiza e grupit të projektuesve pas situatës së tërmetit, vihen re dëmtime në muraturë kryesisht në katin e dytë të godinës të cilat vijnë si pasojë e dëmtimeve në strukturat konstruktive të mureve mbajtëse perimetralë dhe plasaritje të lehta në suvanë e jashtme dhe të dukshme në rifiniturat e brendshme. Kati i fundit i godinës është i evakuar, për çështje sigurie ky kat është i boshatisur. Në kushtet e emergjencës për vazhdimin e funksionimit të tij, projektuesi ka rekomanduar puntelimin dhe nxjerrjen nga puna të komplet katit të dytë teknik të objektit. Në mënyrë që të zgjidhen problematikat kryesore të ndërtesës, opsioni përfundimtar i sugjeruar nga projektuesi për Spitalin e Pediatrisë së Përgjithshme parashikon zgjatjen e jetëgjatësisë së objektit ekzistues deri në 2-3 vjet dhe më vonë ndoshta rikonceptimi i një objekti të ri, i cili do të zhvillohet në prishjen e objektit ekzistues dhe ndërtimi i një objekti të ri të Spitalit të Pediatrisë së Përgjithshme me parametra bashkëkohore.

Rekomandimi: Nga QSUNT dhe MSHMS, në të ardhmen të merren masa që çdo investim të vlerësohet rëndësia e ruajtjes së integritetit strukturor të godinave, duke përcaktuar dhe vlerësuar kapacitetin sizmik dhe metodikat për riaftësimin strukturor të tyre, në mënyrë që të moskeq menaxhohet vlera për
investime dhe rikonstruksione të objekteve spitalore. 

Abuzime me shtretër spitali dhe mobilje

Kontrolli i Lartë i Shtetit pikasi se në spital, shtretër të vjetër bliheshin me çmime të kripura apo dhe pa garanci. 130 shtretër pacienti me kontroll manual u blenë për vlerën mbi 124 milionë lekë të vjetra, por ishin të gjithë të përdorur. Edhe pse duket një detaj i vogël, edhe pasijet e vjetra e rrezikojnë po aq jetën e pacientëve. 

GJETJA: Agjencia Shtetërore e Blerjeve të Përqendruara me shkresën Nr. 119/26 prot., datë 15.07.2022, protokolluar me Nr. 35/33 prot., datë 15.07.2022, ka njoftuar Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza"(QSUNT) Tiranë për lidhje kontrate, për procedurën e prokurimit me objekt “Blerje orendi dhe pajisje për mobilim zyrash”, me afat të marrëveshjes 1 vit, me fond limit 147,864,531 lekë pa TVSH. Nga verifikimi fizik i kryer në Spitalin A2 (Urgjenca), më datë 27 dhe 28.03.2023, në prani të përgjegjësit të Sektorit të Ndjekjes së Investimeve dhe Mirëmbajtjes Ndërtimore dhe specialistit /inxhinier biomedikal të Sektorit të Inxhinierisë Klinike, u konstatua se në 1,312 copë për 6 artikuj në vlerën 25,605,000 lekë me TVSH nuk janë zbatuar specifikimet teknike, si dhe
mobiljet janë të pashoqëruara me certifikatën e origjinës, raportet e testeve, certifikatat e cilësisë, certifikatat e garancisë për mallrat. Për pasojë, vlera 25,605,000 lekë për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe buxhetin e shtetit, përbën dëm ekonomik dhe duhet të dëmshpërblehet nga shoqëria “R.A.” sh.p.k .

Rekomandimi: Të kërkohet në rrugë ligjore, duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative, si edhe të gjitha shkallët e gjykimit, arkëtimi i vlerës 25,605,000 lekë nga shoqëria “R.A.” shpk. Kjo vlerë është përfituar padrejtësisht nga kjo shoqëri, si pasojë e moszbatimit të specifikimeve teknike në kontratën “Mobilimi i Spitalit të Ri të Ndërtuar (A2), me fond limit 147,864,531 lekë pa TVSH

Vjedhja u denoncua 4 muaj me vonë

KLSH ka vënë re 192 aktive të munguara në vlerën 21.885.993 lekë, por denoncimin në prokurori, e ka bërë vetë Albana Fico. Vetëm se ka pritur 4 muaj dhe më pas është bindur që të shkojë dhe të denoncojë rastin në hetuesi. 

“Bordi i spitalit të analizojë vlerën 21,885,993 lekë, vlerë e cila ka të bëjë me 192 aktive të munguara në Polin e Administrimit të Spitalit Polivalent, si dhe të evidentohen përgjegjësitë e të merret vendimi përkatës për zhdëmtim, vlerë e cila për QSUNT-në dhe buxhetin e shtetit përbën dëm ekonomik”

Gjetjet sa vijnë dhe rëndohen. Kjo e mungesës së ilaçeve është padyshim mbi çdo shkelje apo abuzim me tenderat që mund të ketë, pasi u heq ditë nga jetët e tyre, të gjithë pacientëve që lëngojnë nga sëmundje të rënda, ndoshta dhe pa shërim. Sipas raportit të KLSH, edhe pse numri i pacientëve është në rritje dhe sëmundjet tumorale mbeten shkaku i dytë më i shpeshtë i fataliteteve në Shqipëri, duke shkaktuar rreth 16% të vdekjeve çdo vit, por shpesh herë pacientët mbeten pa ilaçe.

GJETJA: Për mungesën e këtyre barnave në farmaci, farmacistja e barnave të rimbursuara, ka njoftuar me e-mail QSUNT-në dhe QSUNT ka njoftuar FSDKSH-në, duke u shprehur në ligjëratë të drejtë se “...Importuesi nuk po furnizon farmacinë... .Theksojmë faktin se QSUNT, ka një numër pacientësh në pritje të barnave të lartpërmendura, të cilat janë të domosdoshëm për ecurinë e shëndetit të tyre”. Referuar dokumentacionit, furnizimet janë bërë nga 12 deri në 34 ditë me vonesë, në kundërshtim me recetat e lëshuara nga mjekët, ku barna të tilla për sëmundjet tumorale, dializë dhe transplant kanë një përsëritje fikse, p.sh., çdo 10 ose 15 ditë. Audituesit e autorizuar të KLSH theksojnë se bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm pacientësh që u është vonuar ky trajtim. Për rrjedhojë, menaxhimi dhe personat e përfshirë në këtë proces, për sa trajtuar më sipër, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, nuk kanë maksimalizuar plotësisht efiçencën dhe efikasitetin në përdorimin e fondeve publike në lidhje me barnat e sipërcituara, ndërsa dëmi shëndetësor ndaj pacientëve është i pallogaritshëm dhe nuk ka pse të varet nga formalitetet burokratike të sist

Rekomandimi:  Pas përfundimit të kontratave/marrëveshjeve në fuqi nga Drejtorët e Përgjithshëm QSUNT/FSDKSH, të merren masa për të korrigjuar këtë praktikë duke vlerësuar lidhjen e marrëveshjeve. Po ashtu, nga drejtorët e përgjithshëm të QSUNT/FSDKSH-së, të merren masa për të lidhur marrëveshje me homologët në vendet fqinje (Kosova, rajoni etj.), për të shkëmbyer bar/barna nga stoku (rezerva) i secilës palë në raste të mos disponibilitetit të bar/barnave për pacientët ambulatorë (jo të hospitalizuar), për barnat që rimbursohen nga shteti.

Përtej dëmve ekonomike që ka sjellë në buxhetin e shtetit, për jetën e pacientëve do të mbajë përgjegjësi Fico? Raporti me mbi 400 faqe i KLSH rendit shkeljet e rënda qartë dhe pastër, pyetja është kur dosjet do të bëhen bashkë për të pasur një përgjegjës të vetëm./ZËRI

DOKUMENTIN E PLOTË KENI MË POSHTË:

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB