TIRANË- Valbona Kalaja, bashkëshortja e gjyqtarit të Apelit të vrarë në sallën e gjyqit, Astrit Kalaj, ngjarje e ndodhur më 6 tetor të 2025, ka bërë një rrëfim prekës në podkastin "Zë me Mirën" të gazetares Mira Kazhani. Detaje prekëse nga jeta e tyre, momentet para vrasjes së tij dhe dita e ngjarjes, momenti kur mori vesh lajmin tronditës, në atë të hënë që duhet të ishte një ditë si të tjerat kur Valbona e priste në shtëpi.
Teksa rrëfen për njohjen e tyre që në moshë fare të re, në bankat e shkollës së mesme profesionale në Shkodër, Valbona është ndalur në ditën e 6 tetorit, që ndryshoi jetën e tyre përgjithmonë. Ajo thotë se kishte qenë për një vizitë mjekësore, ndërsa kujton e përlotur momentin e ndarjes me bashkëshortin atë mëngjes.
Lajmin për ngjarjen Valbona Kalaja tregon se e mori nga kolegët, të cilët e kishin parë lajmin për vrasjen e tij në media. Mesazhe dhe telefonata kishin mbërritur në telefonin e saj, por askush s'kishte guxuar t'i tregonte, deri sa e njoftoi për plagosje. Por, gjatë rrugës me taksi drejt spitalit, një telefonatë e taksistit: 'Kanë vrarë një gjyqtar', do ngrinte edhe më shumë dyshimet. Në spital, Valbona u përball me kolegët e Astrit që qanin me dënesë.
Bashkëshortja e gjyqtarit rrëfeu edhe më shumë detaje, teksa zbuloi se atë javë Astriti kishte qenë i shqetësuar, megjithatë ajo shton se ai nuk i kishte shprehur asnjë frikë apo shqetësim.
“E njoh që kur isha 14 vjeçe, ai 16 vjeç, kur fillova shkollën e mesme profesionale në Shkodër. Shkova pa dëshirën time në atë shkollë, se doja të vazhdoja mjekësi, por babai më çoi në degën elektrike, ishte dëshira e tij. Astriti ishte në degën mekanike dhe e njoha Astritin në mbledhjet e rinisë. Ishte djalë me autoritet që atëherë, serioz, nuk është se ka ndryshuar shumë. Këto vite, që u bë 60-vjeç, çdo njeri do ta njihte nga ata që e njihnin që atëherë.
Unë atë ditë isha pushim, kisha një check-up që duhet të bëja dhe gjithë ditën e kisha vizita te mjekët. Kisha një javë që kisha një bindje të brendshme sikur do të kisha një problem me gjirin, më ishte fiksuar. Dhe atë ditë, në mëngjes, e shfaqa, ia thashë: ‘Kam frikë se mos kam ndonjë gjë’.
U vesh për punë dhe më tha se ‘mirë do jesh’. Por më ishte krijuar një bindje që do kisha diçka, por nuk paska qenë për veten, si duket, atë ditë. ‘Hajde’, më tha, ‘për të pirë kafe’, pastaj më tha të mos e pija, se do bëja analizat.
Kur dola, nuk e di pse atë ditë, kur u kthye nga unë, i rregullova edhe vetullat, e kisha si zakon, ta çoja sa më bukur në punë. Ai nuk e kishte problem pjesën e veshjes, më shumë e kisha unë, që të shkonte me kostum. Ai ishte natyrë tjetër, por pozicioni i punës ia kërkonte të shkonte me këmishë të bardhë dhe kollare.
Kur u ndamë, kishte një çantë të madhe që e mbante me dosje, ishte ditë e hënë, ditë gjyqesh. I thashë të mos shkonte me biçikletë, dhe për çudi më dëgjoi. Atë ditë mori makinën, iku dhe unë ika në klinikën afër shtëpisë. Bëra kontrollet dhe ajo më tha të shkoja në orën 3, por i thashë që nuk vija dot se nuk kisha bërë drekën. Shkova te puna, se ekoja më kishte dalë mirë. Isha shumë e gëzuar derisa më ra telefoni”, tha ajo.
Po prisja që të vinte në shtëpi t’i thoja që çdo gjë ishte mirë. Më vjen një mesazh i shkurtër në telefon nga një koleg: ‘Më tha Valbona, si je?’.
Në atë moment më merr një tjetër koleg pune, i cili kishte dëgjuar lajmin. Unë televizorin nuk e lë kurrë në lajme, të gjithë e kishin marrë vesh, unë jo. Më pyeti: ‘Si ke qenë, a ka ndonjë gjë të re?’. Folëm shkurt dhe ma mbylli telefonin, nuk ma tha.
Nuk arriti të ma thoshte. Pastaj na merr një mike jona e përbashkët, ishte sikur po bërtiste, më pyeti: ‘Po Astriti si është?’. Dhe ajo ma mbylli telefonin, nuk më tha gjë. E telefonova Astritin, nuk ma hapi. Më shkoi mendja te mesazhi i parë, mora atë kolegun dhe ai më tha që diçka kishte ndodhur te Gjykata e Apelit. Më mori një koleg i Astritit në telefon dhe më tha se ishte plagosur dhe ndodhej në spital.
Mora një taksi. Ngjarja ishte aq e madhe sa e kishte marrë vesh edhe taksisti. I thotë nipit: ‘Kanë vrarë një gjyqtar’. Në spital kam gjetur të gjithë kolegët e tij duke qarë. Qanin me dënesë. Nuk vinte asnjë, nuk e merrte guximin askush të më thoshte gjë.
Atë javë ka qenë shumë i ngarkuar, i shqetësuar. E shihja që zgjohej natën, e gjeja me celular në dorë, nuk kishte gjumë. E shihja natën e fundit, kur mbylli dosjen e fundit, që nuk do ta harroj kurrë. Ishte një dosje e trashë. Kur e mbylli dosjen, u ngrit edhe pluhur, por njeriu nuk mendon për keq. Kur i kujtoj tani, më kujtohen me imtësi. Atë ditë, gjithë ditën, është marrë me dosjet për gjyqet e së hënës.
Nuk ka shfaqur gjë, të paktën me mua. Por me nja dy shokë të tij këtë gjyq e kishte diskutuar. U kishte thënë se kishte një dosje me 31 familje dhe nuk e dinte si do bëhej. Nga kolegët më kanë thënë që ka pasur probleme me këto edhe më parë. Ai ka qenë trim, ka gjykuar çështje të nxehta, në ’97-ën ka gjykuar krime të rënda. Asnjëherë nuk ka pasur probleme. Edhe në vitin 1997 ka dalë në rrugë pa frikë, sepse thoshte: ‘Unë nuk i kam bërë gjë njeriu’”, rrëfeu Valbona Kalaja.
Si ndodhi ngjarja?
Gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën më 6 tetor, gjatë një seanca gjyqësore. Ai po shyrtonte një çështje që kishte të bënte me një rast pronësie në qarkun e Shkodrës. Autori, Elvis Shkambi, ka pretenduar se ka qenë palë e dëmtuar në çështjen e pronësisë. Momenti fatal i të shtënave është regjistruar sapo gjyqtari Astrit Kalaja është çuar për të dhënë vendimin. Në atë moment, Shkambi ka nxjerrë pistoletën dhe e ka qëlluar gjyqtarin me 3 plumba në gjoks. Gjyqtari Astrit Kalaja nuk arriti t'i mbijetonte 3 plumbave në gjoks dhe humbi jetën rrugës për në spital. Ndërkohë, si pasojë e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe 2 persona të tjerë (babë e bir) Rakip dhe Ervis Kurtaj, të cilët aktualisht ndodhen në spital. Në pranga kanë rënë autori, xhaxhai i tij Gjon Shkambi dhe roja e sigurisë, Banush Koxhaj, që e lejoi hyrjen e armatosur të autorit në ambientet e gjykatës, ku ndodhi krimi. /ZËRI