ITALI- Një 36-vjeçar shqiptar ka humbur jetën pasi u qëllua me armë zjarri gjatë një tentative për grabitje në një banesë në Baldissero d’Alba në provincën e Cuneos Itali. Për ngjarjen është vënë nën hetim një 35-vjeçar italian.
Sipas dëshmisë së 35-vjeçarit dëgjoi zhurma në oborr gjatë natës dhe pa disa persona pranë banesës. Ai doli në ballkon dhe qëlloi disa herë me armë në errësirë. Të shtënat prekën 36-vjeçarin Gjovalin Lazri, me origjinë shqiptare dhe banues prej vitesh në Torino i cili nuk mundi tu mbijetonte plagëve.
Pas ngjarjes, 35-vjeçari ka shprehur pendesë për veprimin e tij. “Kam gabuar, nuk duhej të qëlloja”, mësohet të ketë thënë ai, ndërsa avokati i tij ka deklaruar se klienti është i tronditur nga ajo që ka ndodhur.
Në vendngjarje është sekuestruar një pistoletë Beretta 9 mm, e cila rezulton e regjistruar ligjërisht. Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar numrin e saktë të të shtënave, distancën dhe pozicionin nga ku është qëlluar.
Për zbardhjen e plotë të rrethanave priten rezultatet e ekspertizës balistike dhe autopsisë së viktimës. Ndërkohë, familjarët e Lazrit jane ne pritje të përfundimit te hetimeve./ZËRI