
TIRANË- Tragjedi e dyfishtë në familjen Ajazi. Dy muaj pas humbjes së foshnjës që solli në jetë, drejtoresha e Dhomës Ekonomike të Gruas, Klodiana Ajazi nuk ka mundur t'i shpëtojë operacionit të specializuar që ka kryer në Stamboll. Lajmi i hidhur është bërë me dije nga Dhoma Ekonomike e Gruas.
Prej disa javësh, Ajazi ndodhej në gjendje kritike për jetën pas një problemi shëndetësor që i ishte shfaqur nga humbja e fëmijës. Me shpresën për të shpëtuar, Ajazi u dërgua në Stamboll për trajtim të specializuar i cili ishte i kushtueshëm dhe familjarët e Klodjana Ajazit, nuk kishin mundësi ta përballonin ekonomikisht. Por thirrja e tyre publike bëri bashkë shumë njerëz bujarë në GoFundMe, për të mbledhur shumën prej 150 mijë euro për shpëtimin e saj. Fatkeqësisht, trajtimi i specializuar dhe mjekimi në Stamboll, nuk e bëri të mundur shpëtimin e saj.
“Duke ju falenderuar përulësisht për angazhimin e jashtëzakonshëm në përpjekje të shërimit të Klodiana Ajazit, drejtore e Dhomës Ekonomike të Gruas, fatkeqësisht kjo nuk e bëri të mundur shpëtimin e saj. Shpirti i saj u nis për në qiell, as dy muaj pas fëmijës së saj ëngjëll në muajin e 7 të të shtatzanisë. Sot familja dhe miqtë janë të pikëlluar për humbjen e një jete kaq të re. Bordi i Dhomës dhe anëtarët kanë humbur sot një mike, sipërmarrëse të re, punëtore, energjike, pozitive dhe bashkëpunëtore”, shkruan Dhoma Ekonomike e Gruas.