Ekzekutimi i Gentian Bejtjas në Fushë Krujë, shefi i komisariatit: S'themi dot asgjë, sekret hetimor!

FUSHË KRUJË- Shefi i komisariatit të Fushë Krujës, Kreshnik Alimadhi ka folur lidhur me atentatin që i mori jetën Gentian Bejtjas. Para mediave të pranishme ne vendin e ngjarjes, Alimadhi tha se po kryhen veprimet e nevojshme hetimore për kapjen e autorëve, por u kujdes që të mbante sekret çdo detaj tjetër lidhur me ngjarjen.
“Në vendngjarje rezultoi se është vrarë me armë zjarri në banesën e tij shtetasi Gentjan Bejtja. Është formuar grupi hetimor që po merret me hetimet. Pas ngjarjes, në fshatin Hasan u gjend edhe automjeti i djegur që dyshohet të jetë i autorëve. Brenda automjetit janë gjetur 4 armë zjarri. Grupi hetimor po kryen të gjitha veprimet, nuk mund të jap detaje të tjera të hollësishme”– tha shefi i komisariatit.
I pyetur nëse kishte persona të tjerë në banesë bashkë me Bejtjan, Alimadhi tha: Nuk mund ta them i përkasin çështjeve të hetimit!/ZËRI
Shenja gjaku deri në pjesën e pasme të shtëpisë, Gentjan Bejtja tentoi të ikte, por s'ja doli

FUSHË KRUJË- Zbardhen detaje të reja lidhur me vrasjen e ish-policit të burgjeve, Gentjan Bejtja ditën e sotme pranë banesës së tij. Burime për ZËRI bëjnë me dije se personat që kanë hyrë në banesën e tij, mendohet të jenë 2. Të dy, kanë hyrë të maskuar dhe me kallashnikovë në duar, direkt e në serën e obektivit të tyre për ta ekzekutuar.
Por, Bejtja mund t’i ketë parë autorët pasi në oborrin e banesës së tij janë vërejtur shenja gjaku deri në pjesën e pasme të banesës. Ndaj edhe dyshohet se ai mund t'i ketë parë autorët, e ka tentuar që t'i shpëtojë atentatit. Por nuk ia ka dalë dot./ZËRI
Dalin PAMJET/ Kjo është banesa ku u ekzekutua me kallash Gentjan Bejtja, RENEA-t kudo

FUSHË KRUJË- Gentjan Bejtja u ekzekutua pasditen e sotme në banesën e tij, në fshatin Hasan. Menjëherë pas ngjarjes, e gjithë zona, jo vetëm banesa e tij, është e rrethuar nga forcat speciale RENEA.
42-vjeçari vra brenda serës së tij, në pjesën e brendshme të banesës së tij, ku raportohet se ishte e pranishme e shoqja dhe dy fëmijët e tyre.


Duke qenë se 3 herë më parë ishte tentuar vrasja e tij, Bejtja kishte kërkuar më herët azil në Norvegji fillimisht dhe më pas në Suedi, por të gjitha kërkesat e tij ishin refuzuar. I izoluar në Shqipëri, Bejtja ishte në mëshirën e personave që sot i morën jetën./ZËRI
Hera e katërt! E shkuara e errët e Gentjan Bejtjas, lidhjet e ngushta me krimin në Nikël

FUSHË KRUJË- Gentjan Bejtja është ekzekutuar me armë zjarri sot, sapo ka shkelur në serën që kishte ngritur në oborrin e banesës së tij, atje ku hasmit e prisnin që ta ekzekutonin. Një armë ka shkrepur duke i marrë jetën në vend, ish-policit të Drejtorisë së Burgjeve. Por kjo nuk është hera e parë që ndaj tij, tentohet ekzekutimi me armë zjarri. Në fakt është hera e katër që persona që Policia e Shtetit nuk ka zbuluar kurrë se kush janë, tentojnë ta eliminojnë. Veçse sot ia dolën. Por edhe vetë Bejtja rezulton një person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe pronës, si dhe i arrestuar me arsenal armësh në banesë. Madje edhe është hetuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, ngjarje për të cilën u akuzua bashkë me të zhdukurin Enver Stafuka. Bashkë me këtë të fundit, edhe Bejtja, pasi u dyshua bashkë me Enver Stafukën, si një nga autorët e vjedhjes së makinës nga e cila u vra Lamaj, në shkurt 2013. Por për ngjarjen për të cilën u akuzua nuk u gjendën kurrë prova.
Por kjo nuk është hera e parë që tentojnë ta vrasin. Herën e parë, u tentua të vritej në shtator të vitit 2016, ndaj tij u bë një atentat me tritol, kur Bejtja po udhëtonte me makinën e tij tip “Tuareg”, në fshatin Nikël të Krujës, kur nga poshtë mjetit shpërtheu eksplozivi që e dëmtoi rëndë në këmbë. Por duket se hasmit nuk iu ndanë, pasi më 9 janar të vitit 2022 Gentian Bejtjai shpëtoi një atentati me breshëri kallashnikovi, në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, por u plagos në krah miku i tij, 31-vjeçar Klodian Stafuka. Herën e tretë, shënjestra ishte ai, por plumbat për të i mori kunati i tij, Ramazan Sino (shoferi personal i shefit të Prokurorisë së Apelit në Tiranë) dhe iu plagos djali, Alvi Bejtja, asokohe 13 vjeç. Objektiv i atentatit ishte sigurisht Gentjan Bejtja, i cili për herën e tretë u shpëtoi plumbave.
Bejtja ndodhej në makinë me kunatin dhe djemtë e tij, natën para atentatit, teksa mendohej se ai kishte zbritur nga aty, disa minuta para krimit. Këtë fakt e pohoi edhe djali i tij i vogël që gjithashtu mbeti i plagosur nga atentati.
“Babi ka qenë në një makinë me ne, para atentatit. Ai zbriti vetëm pak metra para se të mbërrinim në shtëpi. Nuk e di se ku shkoi,”-tregoi ai para hetuesëve që e morën në pyetje. Fill pas ngjarjes, Gentjan Bejtja u zhduk pa lënë gjurmë, madje nuk u paraqit as për të dhënë dëshminë për atentatit që për pak desh i mori jetën djemëve të tij. Mesa duket, ai kishte përgatitur valixhen për t'u larguar nga Shqipëria.
“Gentjan Bejtja prej më shumë se një viti kishte ikur në Hollandë, por autoritetet nuk kanë informacion që ka kërkuar azil politik atje. Ndërkohë që janë duke u kryer një sërë veprimesh hetimore për të zbuluar vendndodhjen e tij”.
Por cila është e shkuara e errët e Gentjan Bejtjas? Pse ai është bërë shpesh pre e disa atentateve?
Ngjarja e parë në të cilën Gentjan Bejtja, del se u përfshi është ajo e vrasjes së komisarit të Policisë, Dritan Lamaj. Shok krimi duket se kishte të zhdukurin prej më shumë se një dekade, Enver Stafukën. Lamaj, u qëllua për vdekje më 24 shkurt 2013, në Tiranë, brenda makinës së tij, vrasje për të cilën u mor në akuzë, biznesmeni Arben Frroku. Bejtja, bashkë me Enver Stafukën mendohej se i siguroi Arben Frrokut, makinën me të cilën kreu krimin ndaj shefit të komisariatit Nr. 6 në Tiranë, Dritan Lamaj, por nuk u vendosën kurrë para faktit. Kështu që të dy shijuan lirinë, veçse Stafuka edhe jo për shumë kohë. Zhdukja e tij është një nga ngjarjet më të mistershme të botës së krimit. Por ishte pikërisht Bejtja, ai që do të kishte lidhje edhe në këtë rast. Mbrëmjen e datës 8 shkurt 2015, Bejtja, ishte i pranishëm në takimin që Stafuka pati me disa eksponentë të rëndësishëm të krimit në Fushë-Krujë. Pak minuta më vonë, një makinë dhe disa persona të veshur si efektivë të Policisë së Shtetit e morën Stafukën, për të mos e shfaqur më kurrë në publik. Edhe pse zyrtarisht nuk mund të konfirmohet, për familjen i riu nga Fushë Kruja është ekzekutuar sepse dinte shumë. Për për çfarë? Ende nuk dihet.
Ngjarja e dytë e lidh me Valter dhe Durim Bamin, të dy, të cilësuar si "të fortët" e fshatit Nikël të Fushë Krujës. Valter Bami ishte një ndër të parët që u morën në pyetje nga policia në lidhje me atentatin e fundit ndaj familjes së Gentjan Bejtjas.
“Siç edhe më gjetët kam qenë në shtëpinë time në gjumë. Nuk e kuptoj përse më keni shqetësuar, pasi nuk kam përplasje apo konflikte me askënd,”- ka deklaruar ai, i cili dikur ka pasur miqësi të ngushtë me Bejtjan. Se çfarë e prishi miqësinë mes tyre, edhe sot e kësaj ditë, fjalët nuk dalin nga zona ku tritoli dëgjohet më shpesh sesa këndezi i mëngjesit. Diçka i ka prishur ekuilibrat mes tyre, por çfarë? Askush nuk flet. Për atentatin ku u vra Ramazan Dino dhe u plagosën dy fëmijët e objektivit, Gentjan Bajtja, u shoqërua Valter Bami, i cili në dorën e majtë kishte shenja baruti. Por ai është justifikuar, duke u shprehur se në fakt, atë ditë kishte salduar, ndaj edhe kishte shenja. Por ngjarja nuk u zbardh dot as me dëshminë e tij, dhe Bami ia hodhi vetëm me një akuzë, atë të “armëmbajtjes pa leje”.
Gentian Bejtja është shoqëruar edhe për dy atentate, atë të vrasjes së Ilias Çalit në autostradën Tiranë-Durrës, në prill të 2022-it. Natën e 3 prillit 2022, pasi u vra Gentjan Bejtja rrëfeu në Polici edhe bisedën e tij të fundit me Iljaz Çalin për të cilin nuk dihet se cilat ishin fijet që i lidhnin.
“Tri apo katër ditë përpara se të vritej, kam qenë në shtëpinë e Iljas Çalit për vizitë bashkë me gruan dhe fëmijët. Flisja me të vazhdimisht. Për herë të fundit kam shkëmbyer mesazhe me të, një orë përpara se të vritej. Iljasi me dërgoi një video fetare dhe më shkroi: ‘Dëgjoji se janë fjalë të mëdha’. Unë i shkrova: “Jam tu nejt në shtëpi” dhe i dërgova një foto nga telenovela e Ertugrulit. “Më tha që ‘e kam marrë vetë minierën’. Lajmin e vrasjes e mësova nga televizori. Në varrimin e Iljasit nuk shkova, sepse unë nuk kisha miqësi me të dhe nuk kisha lidhje aq të forta me familjen”.
Alibia e tij për të mos shkuar në varrimin e mikut, me të cilin kishin hyrje dalje familjare nuk iu është dukur e besueshme hetuesve. Ai në fakt nuk shkoi në varrim për të shmangur kontaktet me disa personazhe të tjera nga Nikla, që kishin shkuar për t'i dhënë lamtumirën e fundit mikut të tyre. Edhe pse Bejtja u morr në pyetje, kurrë ndaj tij nuk u ngritën akuza për vrasjen e biznesmenit, që ishte përzjerë edhe në betejën për krom, nga e cila në fakt nxorri vetën gjakun dhe plumbat që i morën jetën.
Bejtja u shoqërua edhe pas atentatit ndaj Marklen Hakës në qershor po të vitit të shkuar, por nuk u gjetën prova për ta fajësuar si autor./ZËRI
Ekzekutohet Gentjan Bejtja, gjendet makina e autorëve...por e djegur. Brenda ishin 4 kallashnikovë

FUSHË KRUJË- Vetëm disa minuta pas vrasjes së 42-vjeçarit Gentjan Bejtja, një mjet tip fuoristradë është gjetur duke u djegur jo shumë larg vendit të krimit, në Hasan. Brenda mjetit janë gjetur edhe 4 armë zjarri, tip kallashnikovë, të cilat dyshohet se janë përdorur për vrasjen e Bejtjas.

Ende nuk dihet se kujt i përket mjeti i përdorur në atentat, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë një makinë e vjedhur, të cilat zakonisht përfundojnë pikërisht në këtë zonë për t'u përdorur për ngjarje kriminale.
Krujë/Informacion shtesë
Në vazhdim të veprimeve hetimore, në fshatin Hasan është gjetur një automjet tip "Land Rover", i bardhë, i djegur, brenda të cilit janë gjetur katër armë zjarri të djegura. Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet hetimore me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Sipas të dhënave të deritanishme, në atentat dyshohet të kenë marrë pjesë 3 persona, por nuk përjashtohet edhe një numër më i madh personash që mund ti kenë zënë pritë në banesën e tij, Bejtjas. Ky i fundit ka ndërruar jetë në vend, para syve të bashkëshortes dhe të djemëve./ZËRI
E pikasën tek oborri i shtëpisë dhe s'e falën! Ekzekutohet Gentjan Bejtja në Fushë Krujë

FUSHË KRUJË- Një vrasje ka ndodhur pasditen e sotme në Larushk të Fushë Krujës. Ish-polici i Burgjeve, Gentjan Bejtja është ekzekutuar me armë zjarri teksa e kishin pikasur në oborrin e banesës së tij. Ende nuk dihen detaje të tjera lidhur me ngjarjen e ndodhur. 42-vjeçari ndodhej brenda në serat që i kishte në oborrin e shtëpisë së tij në Larukshë, së bashku me bashkëshorten dhe njërin prej djemve. Sipas raportimeve të para, autorët i janë futur brenda në serë për ta qëlluar, duke i marrë kështu edhe jetën. E gjithë skena raportohet se ka ndodhur në sy të familjes së tij, ndërsa pak metra më tutje, brenda në banesë ishte edhe nëna e tij e moshuar.
Njoftimi i policisë:
Më datë 15.03.2024, në fshatin Larushk, Krujë, nga persona ende të paidentifikuar është vrarë me armë zjarri shtetasi G. B. Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar./ZËRI