
EKUADOR- Një shqiptar është vrarë me armë zjarri në Guajakil të Ekuadorit. Bëhet fjalë për Arjanit Rizaj 53 vjeç, i cili ka marrë të paktën 9 goditje plumbash. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme (9 Nëntor), kur 53-vjeçari kishte shoqëruar bashkëshorten e tij dhe vetë po qëndronte brenda një automjeti të parkuar. Sipas informacioneve paraprake nga Policia Kombëtare, autorët kanë përdorur një armë zjarri të kalibrit 9 milimetra.
Sipas raportimit të mediave spanjolle mësohet se në drejtim të shqiptarit është qëlluar nga një motoçikletë e bardhë, që drejtohej nga dy persona, që u larguan në drejtim të paditur pasi kryen vrasjen. Bashkëshortja e 53-vjeçarit të ndjere ka deklaruar për hetuesit se ajo e pa skenën nga shumë pranë. Në deklaratën e saj, bashkëshortja e shqiptarit të ekzekutuar ka përmendur se i shoqi nuk punonte, pasi ishin pa dokumente dhe se paratë që ai merr janë nga të afërmit, të cilët i dërgonin nga Shqipëria dhe Kanadaja.
#Guayaquil
— Minuto & Medio (@MinMedio) November 10, 2023
Un caso de sicariato ocurrió cerca del sector de emergencia del hospital Luis Vernaza pic.twitter.com/IfrkaCn2m4
53-vjeçari shqiptar nuk ka mundur tu mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në spital. Trupi i tij është trasferuar në Laboratorin e Krimit, ndërsa po kryhen procedurat mjeko-ligjore dhe po hetohet në lidhje me zbardhjen e dinamikës së ngjarjes. Mediat ekuadoriane shkruajnë se ngjarja e rëndë ka ndodhur në të njëjtën ditë kur Dritan Rexhepi u arrestua në Turqi, edhe pse lajmi për kapjen e tij u përhap më 10 nëntor.