
TIRANË- Edevaldo Haxhiu dhe Azemvllasi Elezi janë vënë në prangat e policisë mëngjesin e sotëm në Tiranë, si të dyshuar për dy armë zjarri, municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike të llojit kokainë.
Grupi hetimor ka nisur punën për të zbardhur veprimtarinë kriminale dhe lidhjen e tyre me grupe të tjera. Sakaq Elezi në momentin e ndalimit, nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, por ka tentuar të largohej dhe gjatë tentativës për t’u larguar ka hedhur në tokë, një armë zjarri pistoletë. Hetimet zbulojnë se Haxhiu nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi ndihmoi që të fshihej bosin turk të kriptovalutave, Faruk Ozer.
NJOFTIMI I POLICISË:
Strukturat e DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar "Sundimi i ligjit", bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë intensifikuar kontrollet dhe si rezultat i tyre:
▪️Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme "Shqiponja", në rrugën "Frang Bardhi", kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin E. H., 39 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit, shërbimet e Policisë, i gjetën 39-vjeçarit, një armë zjarri pistoletë me krëhër e municion luftarak, dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë;
▪️Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 7, në Marqinet, kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues shtetasin M. M., dhe pasagjer shtetasin A. E., 34 vjeç. Pasagjeri në momentin e ndalimit, nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, por ka tentuar të largohej dhe gjatë tentativës për tu larguar ka hedhur në tokë, një armë zjarri pistoletë.
Dy armët e zjarrit me krëhra e municion luftarak, së bashku me lëndën e dyshuar narkotike kokainë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasve E. H., 39 vjeç, banues në Tiranë, dhe A. E., 34 vjeç, banues në Vorë, dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.