
TIRANË- Bledar Bajri dhe Albens Tabaku, janë dy kandidatët që kalojnë në seancën plenare të ardhshme për votim, për plotësimin e vakancave nga radhët e avokatisë në Këshillin e Lartë Gjyqësor, KLGJ. Ndërsa Erind Mërkuri dhe Erind Gërmenji, janë dy emrat që do kalojnë në seancë për plotësimin e vakancave në Këshilli ne Lartë të Prokurorisë, KLP.
Shorti u hodh këtë të martë në Kuvend dhe është raundi i tretë dhe i fundit. Lista do t’i përcillet seancës dhe nëse nuk votohen, kandidatët konsiderohen të miratuar.
Më herët kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh se mazhoranca socialiste po tenton të “kapë” anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ndërsa procesin, Bardhi e cilësoi absurd dhe antikushtetues.
Gjatë fjalës së tij në në mbledhjen e Nënkomisionit “Për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësorë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë që përfaqësojnë shoqërinë civile”, Bardhi tha se ka kandidatë që ka vendim gjyqësor për t’u përfshirë në garë, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genc Gjonçaj i ka skualifikuar./ZËRI