
GREQI- Katër shtetas shqiptarë, mes të cilëve dy drejtues të grupit, kanë rënë në prangat e policisë greke të dyshuar si autorë të kultivimit të një parcele me cannabis sativa në ishullin grek të Evias. Policia greke kishte siguruar informacion se prej muajit prill të këtij viti, Mustafa Gjolleshi, 36 vjeç nga Lazarati dhe Edvin Xhaferi, 45 vjeç nga Delvina, kishin ngritur një grup kriminal duke kultivuar në një zonë pyjore në Manikia të ishullit Evia në Greqi, një parcelë me kanabis sativa. Gjatë operacionit u arrit të kapej dhe arrestohej ne flagrancë duke u kujdesur për bimët, 37-vjeçari nga Libohova, Robert Laraj.
Në vendin e ngjarjes u gjetën të kultivuara në 6 zona 1061 bimë narkotike cannabis sativa nga të cilat 103 në forma plastike si dhe dy çadra të ngritura enkas dhe pajisje për ujitjen e bimëve të furnizuara nga një burim. Operacioni ka vazhduar në një banesë në Seta të Evias, ku është arrestuar Ardjan Shaipi, 51 vjeç nga Tirana, i punësuar si shofer në një kompani Security.

Mediat greke raportojnë se gjatë kontrolleve të kryera në banesat dhe pasuritë e të arrestuarve, policia gjeti dhe sekuestroi, 1500 fara kanabisi, celularë të shumtë dhe karta SIM, 940 euro dhe 1 makinë.
Nga hetimi paraprak i policisë rezultoi se nga fillimi i muajit prill 2024, të arrestuarit mes tyre edhe dy anëtarët drejtues kishin krijuar një organizatë kriminale, e cila merrej me kultivimin e një plantacioni të organizuar kanabisi, ndërsa ishin përgjegjës për organizimin e kultivimit, të fidanëve të kanabisit, furnizimi dhe transporti i pajisjeve dhe furnizimeve nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tyre në zonën e plantacionit të hashashit dhe kujdesi për fidanët.
Të arrestuarit do të dërgohen në Prokurorinë e Halkidës, ndërsa hetimet paraprake po kryhen nga Prokuroria e Narkotikëve pranë Nëndrejtorit të Sigurisë Pirgos./ZËRI