
TIRANË-Ardian Sufaj, i njohur dhe me emrin Pëllumb, është ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë. 40-vjeçari u arrestua në Qershor të vitit të shkuar në Shëngjin, pasi akuzohet nga autoritetet e vendit fqinj se gjatë vitit 2022 dhe 2023 ai bashkë me persona të tjerë, kanë trafikuar 100 kg kokainë nga Ekuadori me qëllim shitjen në Itali. Por kjo ngarkesë gjatë transportimit u vodh.
Duket se Sufaj kishte rënë në gjurmët e “hajdutëve” dhe në bashkëpunim me persona të tjerë dyshohet se ka marrë peng një 40-vjeçar dhe e ka kërcënuar me armë, për t’iu dhënë informacion mbi vjedhjen e lëndës narkotike. Ndaj tij Gjykata e Apelit e Triestes ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale, si dhe “Pengmarrja”.
Drejt Italisë është ekstraduar edhe një 56-vjeçar, Artur Ademi alias Artur Liçaj, të cilit Gjykata e Leçes i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në kuadrin e grupit kriminal. Gjatë periudhës 2018-2019, ka drejtuar një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike kokainë, nga Holanda në Itali dhe nga Shqipëria në Itali. Ademi është arrestuar më 2 shtator 2022 në qytetin e Vlorës. /ZËRI