
BERAT- Një 58-vjeçar është arrestuar në Berat, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane. Bëhet fjalë për Fatmir Isollari alias Fatmir Cenka, i cili është dënuar me 7 vite burg nga Gjykata e Apelit në Firence në vitin 2023 nën akuzën për trafik kokaine dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. 58-vjeçari akuzohet se në vitin 2002-2003 trafikoi 20 kg kokainë nga Shqipëria në Firence.
Autoritete shqiptarë po bashkëpunojnë me ato italianet për të finalizuar procedurat e ekstradimit.
“Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Operacionalja 23”. I dënuar nga autoritetet italiane, me 7 vjet burgim, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikim të lëndëve narkotike, kapet në Berat dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 58-vjeçari.
Gjatë periudhës 2002-2003, kjo organizatë kriminale trafikoi 20 kg kokainë nga Shqipëria në Firence. Si rezultat i veprimeve operacionale të kryera pas koordinimit të informacioneve me homologët e Policisë italiane, në kuadër të operacionit policor “Operacionalja 23”, u lokalizua në qytetin e Beratit, u kap dhe u vu në pranga shtetasi:
Fatmir Isollari alias Fatmir Cenka, 58 vjeç, banues në Berat.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Drejtoria e Interpolit, pasi Gjykata e Apelit e Firences, Itali, në vitin 2023, e ka dënuar me 7 vjet burgim, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikim të lëndëve narkotike. Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën, për të finalizuar procedurat për ekstradimin e 58-vjeçarit në Itali”, njofton Policia. /ZËRI