
TIRANË- I shumëkërkuari që rezulton i zhdukur pa gjurmë që prej 9 gushtit të vitit 2022, Ervis Martinaj ka kërkuar të vrasë Durim Bamin. Në njoftimin e publikuar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bëhet me dije se Martinaj ka bashkëpunuar me ish-deputetin Arben Ndoka për vrasjen e Bamit. Sipas SPAK, Martinaj dhe Ndoka kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë-Krujës dhe në zonën e Burrelit.
Gjithashtu, bëhet me dije se Emiljano Shullazi dhe Aldo Avdylaj, edhe pse në kushtet e paraburgimit kanë ndihmuar Ervis Martinajn dhe Arben Ndokën në realizimin e qëllimit kriminal që ishte vrasja e Durim Bamit.
Shullazi ka kontaktuar me të hetuarin T. B., të cilit i ka kërkuar të jetë ekzekutori i Bamit dhe gjithashtu ka siguruar detaje nga lëvizjet e tij, informacione që ia kaluar Ndokës.
Pjesë nga njoftimi:
Në qendër të këtyre grupeve kriminale është grupi kriminal i krijuar dhe drejtuar nga shtetasi E.M., i cili është në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga shtetasi A. N. Këta dy grupe kriminale, për arritjen e qëllimit kriminal kanë kontaktuar anëtarë të një grupi tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit. Gjithashtu, të dy këto grupe kriminale kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit. Po kështu për të realizuar qëllimet kriminale E.M., kontakton shtetasin V.I., i cili sapo kishte përfunduar vuajtjen e dënimit me burgim i kërkon vrasjen e shtetasit F.H. Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara E.M. dhe A.N., vijnë edhe shtetasit E.Sh. dhe A.A., të cilët edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmojnë E.M. dhe A.N., në realizimin e qëllimit kriminal që është vrasja e D.B. etj. E.SH. kontakton me të hetuarin T. B., të cilit i kërkon vrasjen e D.B. Po kështu E.SH., siguron informacione për lëvizjet e D. B. Dhe këto informacione i’a vë në dispozicion shtetasit A.N.
Durim Bami i ka shpëtuar një atentati me armë në vitin 2020. Bami ka qënë nën shoqërinë e kushëririt të tij Ervin Kodra, teksa lëvizte me automjet nga zona e Kamzës në drejtim të Krujës. Por teksa kanë hyrë në urën e Tapizës, ata kanë rënë në pritë duke u qëlluar me breshëri automatiku. Makina e Bamit ka marë 5 plumba automatiku, por asnjëri prej tyre nuk u plagos.