
TIRANË- Kryeministri i vendit Edi Rama, përmes rrjeteve sociale, ka reaguar në lidhje me çëshjen Beleri. Rama shprehet se mbështet vendimin e GJKKO-së. Gjykata e Posaçme vendosi javën e kaluar të rrëzojë kërkesën e Fredi Belerit për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës. Sipas gjykatës, nuk ka një dispozitë ligjore që mund ta lejojë Belerin që të betohet, edhe pse më 14 maj ai fitoi bashkinë Himarë, ndaj Jorgo Goros së PS-së.
"Nga leximi i vendimit të arsyetuar të GJKKO mbi mosdhënien e lejes për betimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, shoh të udhës të nënvizoj publikisht sa më poshtë: 1. Mosdhënia e lejes për betim në kushtet e paraburgimit nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rezulton përfundimisht një qëndrim korrekt ligjor, ashtu sikundër edhe refuzimi i gjykatës speciale ndaj kërkesës është qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm. 2. Fakti që kryetari i zgjedhur i Himarës mbetet i tillë deri në fund të gjykimit dhe vetëm shpallja me vendim të formës së prerë do të përcaktojë mundësinë e tij për t’u betuar në rast pafajësie apo pamundësinë e tij për të mbetur kryebashkiak në rast fajësie, është po ashtu qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm", shkruan Rama.
Më tej, Rama ka paralajmëruar shkarkimin e Jorgo Goros, duke thënë se në Himarë duhet të mbahen zgjedhje të reja. Sipas tij, qytetarët meritojnë një kryebashkiak, me qëllim që qytetarët të marrin shërbimet që iu takojnë.
"3. Referimi nga ana e GJKKO e ngërçit që krijohet në vazhdimësinë e përkohshme të detyrës nga ana e kandidatit humbës, përderisa faktikisht kryebashkiaku i zgjedhur mbetet në paraburgim, ndërkohë që kryebashkiaku ende në zyrë nuk e ka legjitimitetin për të drejtuar bashkinë në mungesë të fituesit, e bën qartësisht të lexueshme dhe lehtësisht të kuptueshme nevojën e daljes nga ky ngërç përmes ndërprerjes së vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të kandidatit humbës, bazuar në praktikat më të mira europiane për sigurimin e shërbimeve publike në bashkinë e Himarës. Si përfundim, ky vendim i arsyetuar i GJKKO është një konfirmim i padiskutueshëm ligjor i “çështjes Beleri” si një çështje e drejtësisë, assesi e politikës apo kurrësesi e organeve të qeverisë qendrore. Po ashtu arsyetimi i këtij vendimi krijon një premisë pozitive për adresimin e ngërçit të lartpërmendur", shkruan më tej Rama.
Sipas Ramës, vendimi i arsyetuar i GJKKO është një konfirmim i padiskutueshëm ligjor i ‘çështjes Beleri’, si një çështje e drejtësisë, assesi e politikës apo kurrsesi e organeve të qeverisë qendrore.
Vendimi i GJKKO për Belerin: Qeveria të marrë kompetencat e qeverisjes vendore
Është zbardhur vendimi i GJKKO-së që ka rrëzuar kërkesën e Fredi Belerit për një leje nga Drejtoria e Burgjeve, për të zhvilluar procesin e betimit si kryebashkiak i Himarës. Vendimi është publikuar nga ana e Drejtorisë së Burgjeve, që argumenton vendimin e marrë.
Në vendimin e gjykatës saktësohet se zgjidhja e ngërçit të krijuar duhet të shikohet tek modelet europiane, që japin zgjidhje për ngërçe të ngjashme, kur pushteti vendor nuk është më në gjendje që të ushtrojë detyrën. Sipas GJKKO, në këtë rast ndërhyn qeveria vendore, me qëllim që të sigurohet vazhdimësia e shërbimeve për qytetarët.

“Në situatat, kur qeveria lokale, për shkaqe të caktuara, konsiderohet e paaftë të përmbushë detyrat e saj efektive, administrimi i përkohshëm i qeverisjes lokale mund të kryhet nga qeveria qendrore”, thuhet në vendim.
Fredi Beleri fitoi zgjedhjet në Himarë përballë kandidatit Jorgo Goro. Por, ai u arrestua për shit-blerje votash. Në lidhje me arrestimin e Belerit, ka reaguar edhe Greqia, që ka vendosur edhe veto ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në BE./ZËRI/