
TIRANË-Është shtyrë seanca gjyqësore për ish-kreun e ARRSh-së Evis Berberi dhe dy të arrestuarve të tjerë. Seanca do të zhvullohet nesër në orën 12:00.
Seanca e planifikuar për sot është shtyrë, për shkak se avokatët kanë kërkuar kohë që të njihen me aktet e dosjes. Seanca për Berberin nisi sot në orën 13:00 dhe u ndërpre, për shkak se avokatët nuk dispononin materialin hetimor dhe duhej të njiheshin me të.
Berberi u arrestua dy ditë më parë, pasi akuzohet për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”. Me dyshimet për të njëjtat vepra penale, ndërsa në gjendje të lirë po ndiqet dhe Brunilda Bulo, bashkëpunëtore e tyre, e cila nuk është arrestuar për shkak se është nënë e një fëmije të mitur. Skema për përvetësimin e parave është bërë nëpërmjet dy kompanive “Net Group” dhe “Daam”. Kompanitë u blenë dhe u shitën mes 4 të përfshirëve në dosje, madje dhe nga vetë Berberi, i cili më pas, shpallte fituese kompanitë e tij në disa tendera publikë të shpallur nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Shuma e përvetësuar u përllogarit 2.3 milionë euro. Por po ashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e Berberit u gjetën piktura të shtrenjta si dhe vlera monetare që kapin shumën e 4 milion lekëve./ZËRI