
TIRANË- EUROPOL ka zhvilluar një aksion në Gjermani, Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Liban dhe Kosovë. Operacioni 'Pandora' shkatërroi 12 qendra Call center. Këto qendra u identifikuan si burime të mijëra telefonatave mashtruese në ditë ndërsa punonjwsit përdorën një gamë të gjerë taktikash, duke filluar nga thirrjet e rreme deri te mashtrimet bindëse të investimeve.
21 persona u arrestuan gjatë kësaj dite aksioni të mbështetur nga Europoli, i cili shkatërroi një rrjet kriminal përgjegjës për mashtrimin e mijëra viktimave përmes përdorimit të mënyrave të ndryshme të veprimit. Skemat e mashtrimit variojnë nga thirrjet tronditëse të rreme të policisë, si anëtarë të familjes, anëtarë të shërbimeve qeveritare apo qendrave financiare, mashtrimet bindëse të investimeve ose mashtrimet romantike.
“Pandora” thuhet se nisi falë një punonjësi të vëmendshëm në një bankë në Freiburg kur një klient u përpoq të tërhiqte mbi 100 mijë euro në para në dhjetor 2023. Punonjësi mësoi se klienti kishte qenë viktimë e një mashtrimi nga oficerë të rremë policie. Sipas EUROPOL-it, personi në fjalë ishte zbuluar se kishte realizuar më shumë se 28 mijë telefonata mashtruese gjatë 48 orëve. Policia më pas krijoi qendrën e saj të thirrjeve për t’u marrë me mashtruesit.
Që nga dhjetori 2023, mbi njëqind oficerë u vendosën në Zyrën e Policisë Kriminale të Shtetit Baden-Wurttemberg dhe siguruan përmbajtjen e mbi 1.3 milion bisedave telefonike mashtruese. Në vetëm katër muaj, policia regjistroi më shumë se 7 mijë e 500 thirrje, gjë që bëri që autoritetet të nisnin procedimin penal. Përveç arrestimit të 21 personave, oficerët kanë mundur të sigurojnë prova të gjera si mbajtës të dhënash, dokumente, para të gatshme dhe pasuri në vlerë prej 1 milion euro. Gjithashtu u sekuestruan një numër i madh provash elektronike, të cilat duhet t'u mundësojnë autoriteteve hetuese të marrin informacione për qendra të mëtejshme të thirrjeve dhe për më shumë mashtrues. /ZËRI