Aktualitet

Faza III e Tiranë-Durrës, 25 mln euro për ndërhyrjen në superstradë dhe nyjen në Laknas

Pavarësisht vlerës së procedurës që duket e konsiderueshme duket se nyja e re e Laknasit përfshin një ndryshim tërësor të qarkullimit në këtë pjesë dhe vepra arti.

Redaksia Zëri
Faza III e Tiranë-Durrës, 25 mln euro për ndërhyrjen në
Foto ilustruese

TIRANË- Faza e tretë e punimeve në lotin e parë të zgjerimit të superstradës Tiranë-Durrës pritet të vijojë me ndërhyrjen në segmentin kryesor të rrugës, nga kilometri 6 deri në atë 7.05, si dhe me nyjet lidhëse të kësaj rruge me zonat përreth. Autoriteti Rrugor Shqiptar çeli këtë të mërkurë tenderin me objekt “Zgjerim i superstradës Tiranë – Durrës Faza III” me një fond limit 2.5 miliardë lekësh apo rreth 25 milionë euro.

Në relacionin teknik që shoqëron projektin thuhet se ndërhyrja përfshin shtresat asfaltike të korsive shtesë në kilometrin e superstradës të përfshirë në këtë fazë, sistemin e drenaxhimit të ujërave në këtë pjesë ndërlidhjen e nyjes së Laknasit me superstradën dhe ndërhyrjen në nënkalimin e Limuthit në afërsi të Citypark.

Pavarësisht vlerës së procedurës që duket e konsiderueshme duket se nyja e re e Laknasit përfshin një ndryshim tërësor të qarkullimit në këtë pjesë dhe vepra arti.

“Referuar kërkesave, zgjidhja e gjeometrisë së nyjës dhe segmenteve rrugore për objektin e kontratës “Studim Projektim “Ndërtimi I Nyjës që lidh Rrugën e Laknasit me Projektin “Zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës”” përfshin realizimin e një nyje në disnivel, e cila siguron aksesin e rrugës së Laknasit me autostradën Tiranë-Durrës.

Duke marrë parasysh faktin që nyja e propozuar ka një distance të kufizuar (rreth 1.5km) nga fillimi i autostradës (nyjes së Casa Italia), realizimi i saj nuk cenon sigurinë në lëvizje për shkak se zona në fjalë duhet të marrë në konsideratë kufizimet në shpejtësi (në zvogëlimin e shpejtësisë në dalje të autostradës apo rritjen e shpejtësisë në mënyrë graduale deri në njëfaëe distance).

Lidhja e rrugës kryesore dhe të Laknasit me këtë segment rrugor, realizohet nëpërmjet rampave përkatëse, tëe cilat sigurojnë parametra gjeometrike të duhura, për lëvizshmëri të sigurt. Referuar V.K.M Nr.628, secila nga degët e rampave do ketë gjerësi të pjesës kaluese jo më të vogël sesa 6 m dhe pjerrësi gjatësore jo më të madhe sesa 7- 8%,"-thuhet në dokument.

Më herët për këtë lot, qeveria ka çelur edhe dy procedura të tjera fazën 2 dhe 1 të cilat janë në zbatim dhe që në total kanë një vlerë kumulative prej rreth 3 miliardë lekësh pa TVSH sipas ofertave të shpallura fituese, apo rreth 30 milionë euro./Monitor

Poll

MOS HUMB