TIRANË- Në bilancin e publikuar nga Ministria e Mbrojtjes bëhet me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 45 vatra zjarri, nga të cilat 12 vijojnë të jenë aktive.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, 72 automjete, 1100 forca në terren, 5 helikopterë e 2 avionë janë angazhuar për shuarjen e zjarreve. Ndërsa operacionet për shuarjen e flakëve vijojnë në Dajt, Priskë të Madhe, Patos–Mallakastër, Krujë, Përmet, Gurë-Lurë, Devoll, Mirditë dhe Vau i Dejë.
Njoftimi:
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 45 vatra zjarri, nga të cilat 12 vijojnë aktive dhe 1 është në monitorim.
Në operacione janë angazhuar 72 automjete zjarrfikëse dhe 839 forca operacionale, ndërsa në mbështetje janë përfshirë 250 efektivë të Forcave të Armatosura, 5 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”. Aktualisht në terren vijojnë operimet 167 efektivë të FA-së, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Operacionet vijojnë në Dajt, Priskë të Madhe, Patos–Mallakastër, Krujë, Përmet, Gurë-Lurë, Devoll, Mirditë dhe Vau të Dejës, me ndërhyrje të koordinuara nga toka dhe ajri.
Në të gjitha zonat, prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe zonave të banuara, si dhe izolimi e shuarja sa më e shpejtë e vatrave aktive.
Nga raportimet e deritanishme rezultojnë rreth 418 hektarë sipërfaqe të djegur dhe 250 rrënjë ullinj të dëmtuara.
AKMC dhe të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin dhe koordinimin e operacioneve në terren.