GJIROKASTËR- Viti i Ri ka nisur me një ngjarje tragjike në Gjirokastër, ku tre persona humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë pas një aksidenti të rëndë në aksin Gjirokastër-Tepelenë. Ngjarja është regjistruar në orën 03:18, kur dy automjete një Volkswagen dhe një Mercedes-Benz janë përplasur me njëri-tjetrin në vendin e quajtur “Bypass”.
Siç shihet dhe në foto, nga përplasja e fortë, dy të rinjtë që ndodheshin në automjetin Volkswagen, Klejdi Myftari 24 vjeç dhe Anxhelo Ruçi 27 vjeç humbën jetën, po ashtu edhe drejtuesi i automjetit Mercedes-Benz, Martin Dulaj 25 vjeç, ka ndërruar jetë në vend. Pasagjerja 19-vjeçare Arsida Demiri, që udhëtonte në Mercedes-Benz, u plagos rëndë dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje kritike.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 03:18, në aksin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, në vendin e quajtur “Bypass”, automjeti me drejtues shtetasin M. D., 25 vjeç, banues në Tepelenë është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasi K. M., 24 vjeç, banues në Tepelenë.
Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën dy drejtuesit e automjeteve, pasagjeri shtetasi A. R., 27 vjeç, banues në Tepelenë, si dhe ka mbetur e dëmtuar shtetasja A. D., 19 vjeçe, banuese në Delvinë, e cila ndodhet në spitalin e Traumës, në kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit./ZËRI