
TIRANË-Zgjedhjet për kreun e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë janë shoqëruar me protestë. Një grup besimtarësh myslimanë që janë kundër drejtuesve aktual të komunitetit Mysliman Shqiptar, po protestojnë paralelisht me zgjedhjet. Protestuesit, i kanë cilësuar mbështetësit dhe zyrtarët aktualë të KMSH-së si "gylenistë". Madje para tyre kanë dalë edhe me pankarta në duar: 'Gylenistë nuk ju duam', 'Komuniteti i marrë peng nga Bujar Spahiu dhe Lauren Luli', akuzojnë drejtuesit aktual si gylenist dhe pjesëtarë të grupit famëkeq 'FETO' në Turqi.
Protesta është duke u zhvilluar në ditën e zgjedhjeve për kreun e ri të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.




Zgjedhjet do të zhvillohen në ambientet e Medresesë së Tiranës, ndërsa në garë janë tre kandidatë, Bujar Spahiu, Eduard Shefki dhe Emirjon Vathaj. Bujar Spahiu është kreu aktual i KMSH, mandati i të cilit përfundon pasi e mori detyrën në vitin 2019. Eduart Shefki është administrator i Myftinisë së Durrësit ndërsa Emirjon Vathaj është Myfti i Beratit. Ky tubim është njoftuar edhe më herët, duke njoftuar edhe policinë e shtetit të marrë masa./ZËRI