
KOSOVA- 17 Shkurt 2008! Një prej datave më të rëndësishme në historinë e shqiptarëve në të dy anët e kufirit, teksa Kosova do të shpallte Pavarësinë e saj. Sot 16 vite më pas, Kosova ka bërë dukshëm përparime në nivelin e njohjeve nga shtetet e tjera, ndërsa mbetet e brishtë marrëdhënia me Serbinë, nën diktatin ndërkombëtar. Gjatë ditës së sotme, në sheshet kryesore të Prishtinës valviten flamujt e Kosovës, Shqipërisë, por edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një prej kontribuesve më të mëdhenj në pavarësinë e shtetit më të ri të Ballkanit.
Qeveria e Kosovës ka publikuar logon zyrtare për shënimin e 16-vjetorit të pavarësisë. “Kosovë ne të dalim zot”, është mbishkrimi që është vendosur në logon zyrtare shtetërore.
“Logoja zyrtare shtetërore për shënimin e 16-të vjetorit të Pavarësisë dhe programi i plotë i manifestimeve shtetërore për shënimin e 16-vjetorit të Pavarësisë, 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Aktivitetet e Qeverisë në Ditën e Pavarësisë
Qeveria e Republikës së Kosovës ka publikuar programin me rastin e shënimit të 16-vjetorit të Pavarësisë.
Më poshtë mund t’i gjeni aktivitetet e planifikuara të Qeverisë së Kosovës
08:00 – Mbledhje Festive e Qeverisë së Republikës së Kosovës
08:20 Ngritja e Flamurit të Republikës së Kosovës
08:30 – Nderime te Monumenti i të Pagjeturve
08:45 – Homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova 08:50 Homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi
09:50 – Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz
11:00 – Nderime te Monumenti “Heroinat”
11:15 – Nderime te Monumenti i Policëve të rënë në detyrë
11:25 – Nderime te pllaka e fëmijëve të vrarë gjatë luftës, Oborri i Kuvendit
12:00 – Seanca Solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës
17:00 – Pritje shtetërore nga Presidentja, Kryeparlamentari dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës 18:00 Koncerti i Pavarësisë, sheshi i Prishtinës
20:15 – Koncert solem i Filharmonisë së Kosovës, Prishtinë
Ndërkohë nuk kanë munguar urimet nga politikanët më të lartë të Kosovës por edhe Shqipërisë në këtë datë të shënuar për dy vendet tona.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar përmes një fotoje, me në sfond Ibrahikm Rugovë, Kosovën e lirë e të pavarur, ndërsa nuk lë pa përmendur edhe ndihnmën e aleatëve.
“Të duam Kosovë! Të lirë, të pavarur, sovrane e me aleatë. Urime ditëlindjen e 16të”, shkruan Osmani në rrjetet e saj sociale.
Ndërkohë edhe kryeministri Albin Kurti ka uruar Pavarësinë përmes një videoje, e cil padyshim nxjerr në pah dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
/ZËRI