TIRANË- Dy ditë nga atentati mafioz i mesditës së 11 nëntorit ku u ekzekutua Gilmando Dani dhe u plagos rëndë miku i tij, punonjësi i AMP-së Muçi Shaljani, hetimet ende nuk kanë çuar në një pistë të caktuar apo në identifikimin e autorëve. Policia ka kërkuar informacion nga autoritetet spanjolle, mbi lëvizjet e Danit dhe Shaljanit, gjatë qëndrimit 4 ditor atje, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Policia ka kryer kontrolle në disa zona të ndryshme, Tiranë, Kamëz, Nikël dhe Fushë Krujë, ku janë shoqëruar të paktën 15 persona, kryesisht familjarë të viktimës dhe të plagosurit por u lanë të lirë. Ekspertiza paraprake nga morgu i Tiranës, ka nxjerrë se Gilmando Dani ka marrë 20 plumba në trup, ndërsa në vendngjarje janë gjetur mbi 80 gëzhoja. Ndërkohë rezulon se makina tip 'Toyota Yaris”, e përdorur nga autorët në krim, është vjedhur në Greqi më 22 tetor 2023. Hetimet janë fokusuar në disa pista hetimore, siç është ajo e larjes së hesapeve mes grupeve kriminale, konfliktet për fajdet financiare e deri tek bashkëpronësia tek disa sipërfaqe toke prapa zonës së "Casa Italia" dhe trafiku i kokainës.
/ZËRI