
TIRANË- Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë në fuqi vendimin për ekstradimin e Princ Dobroshit pë në Gjermani, pasi është shpallur në kërkim për trafik të lëndëve narkotike. Çështja në apel u shqyrtua pas ankimit të bërë nga Dobroshi, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, pra refuzoi që të ekstradohej nga Shqipëria për në Gjermani. Por ankimimi i tij ka shkuar më kot, pasi Apeli sot ka vendosur që ekstradimi të realizohet. Vendimi do i kalojë për zbatim Ministrisë së Drejtësisë.
Por kush është Princ Dobroshi?
Në vitin 1988, kur ishte vetëm 24 vjeç u largua nga Kosova drejt Gjermanisë, ku nisi të merrej me biznesin e lojërave të fatit. Me pas, ai u shpërngul në Norvegji kur e zgjeroi aktivitetin e kazinove. Por, jeta e tij mori kthesë kur në vitin 1993 u arrestua nga policia norvegjeze dhe u akuzua për trafik droge. Në vitin 1994, autoritetet norvegjeze e dënuan me 14 vite burgim, por tre vite më vonë, në vitin 1997, u arratis nga burgu pasi korruptoi gardianët. Kjo ishte dhe ngjarja që bëri që shqiptari nga Kosova të pushtonte mediat norvegjeze që i vunë dhe nofkën “Peshkaqeni” i heroinës. Në vitin 1999, Dobroshi u arrestua nga autoritetet policore çeke në Pragë, në kuadër të operacionit “Kafaz”, duke e rikthyer në qeli, ku qëndroi deri në vitin 2005.
Pasi kreu dënimin, Princ Dobroshi u përcoll nga autoritetet norvegjeze nën masa të rrepta sigurie për në Kosovë, ku iu rikthye biznesit të lojërave të fatit. Ai vazhdimisht mohonte të kishte të bënte me trafikun e drogës. Madje, në një rrëfim për mediat në Kosovë, ka rrëfyer se heroinën në makinë ia kishin vendosur për ta futur në kurth.
Ndiqni materialin e përgatitur nga ZËRI:
Njofitmi i Gjykatës së Apelit
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me lejimin e ekstradimit me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj shtetasit kosovar me iniciale P. D, nga ku rezulton se Gjykata Themelore Hamburg, Gjermani, me vendimin nr. 162 Gs 1782/23 , dt. 06.09.2023, ka nxjerrë urdhër arresti për shtetasin kosovar P.D , pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, të kryer në bashkëpunim, si pjesëtar i një grupi kriminal, sipas Kodit Penal të Republikës së Gjermanisë. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 334 Regj.Them, datë 14.02.2024, ka vendosur: -Të lejojë ekstradimin e shtetasit kosovar P. D nga Republika e Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë , për efekt të ekzekutimit te vendimit penal nr. 162 Gs 1782/23 , dt. 06.09.2023 , të Gjykatës Themelore Hamburg, Gjermani.
-Një kopje e këtij vendimi t’i njoftohet Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga shtetasi me iniciale P. D, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, refuzimin e ekstradimit nga Republika e Shqipërisë drejt Republikës Federale të Gjermanisë.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 09.04.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Elona Mihali, vendosi: – Lënien në fuqi të vendimit nr. 334 Regj. Them, datë 14.02.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
– Një kopje e këtij vendimi t’i njoftohet Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë./ZËRI