
TIRANË- Rexhë Byberi, i arrestuar pak ditë më parë, ka dalë këtë të enjte përpara Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku u njoh me masën e arrestit në shtëpi ndaj tij. Pas seancës gjyqësore, Byberi bëri një deklaratë të shkurtër për mediat, duke theksuar se nuk ka bërë asgjë përtej zbatimit të ligjit.
“Nuk kam bërë asgjë më shumë se zbatimin e ligjit. Përshëndes qytetarët e Tropojës. Faleminderit shumë!”, u shpreh ai shkurtimisht para gazetarëve.
Kryebashkiaku i Tropojës Rexhë Byberi, dhe zv.kryetari Abedin Kërnaja akuzohen për shpërdorim detyre, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik prej 2.7 miliardë lekë të vjetra. Megjithë shifrën e lartë të abuzimit me paratë publike, ndaj Byberit nuk është parë e udhës që të jepej një masë më e fortë sigurie, siç është dhënë më herët për kolegë të tij, ajo e arrestit me burg./ ZËRI