Aktualitet

Gjykata e Lartë cakton seancë dëgjimore për sekuestrimit e pajisjeve të punës të gazetarit Elton Qyno

Çështja me ankues, gazetarin Elton Qyno, i cili ka kundërshtuar sekuestrimet e bëra nga SPAK mes datave 13 dhe 14 dhjetor 2023 është prishur njëherë nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë që përbëhej nga Sandër Simoni, Sokol Binaj dhe Ilir Panda.

Redaksia Zëri
Gjykata e Lartë cakton seancë dëgjimore për sekuestrimit e
Elton Qyno

TIRANË- Gjykata e Lartë, ka vendosur të kalojë dhe gjykojë në seancë publike çështjen e rekursit të gazetarit të “Ora News”, Elton Qyno, i cili ka kundërshtuar vendimet e Gjykatës së Posaçme (GJKKO) dhe SPAK, për sekuestrimin e sendeve personale, familjare dhe mjetet e punës së gazetarit. Vendimi për kalimin në seancë dëgjimore është marë ditën e djeshme në 14 Nëntor 2024, ku pas dy herë shtyrjeje në dhomë këshillimi, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë nga gjyqtarët: Medi Bici, Albana Boksi dhe Vojsava Osmani, vendosi që rekursin e gazetarit Qyno ta zgjidhë në seancë dëgjimore. Ndaj ditën e djeshme, Gjykata e Lartë, ka vendosur që të njoftojë zyrtarisht gazetarin Qyno, dy avokatët e tij dhe prokurorin e çështjes pranë SPAK, Ols Dado, për t’u paraqitur në datën 10 dhjetor ora 10:00, në mënyrë që shpjegimet e tyre t’i japin para Kolegjit të Gjykatës së Lartë.

Çështja me ankues, gazetarin Elton Qyno, i cili ka kundërshtuar sekuestrimet e bëra nga SPAK mes datave 13 dhe 14 dhjetor 2023 është prishur njëherë nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë që përbëhej nga Sandër Simoni, Sokol Binaj dhe Ilir Panda. Në 25 Mars 2024, këta gjyqtarë vendosën prishjen e vendimit të Apelit të Posaçëm të marrë nga gjyqtarja Danjela Shirka dhe rikthimin e ankimit të gazetarit Qyno, sërish për rigjykim në Apel duke lënë dy detyra konkrete për gjyqtaren Shirka.Gjyqtarja e Apelit të Posaçëm Danjela Shirka, është mjaftuar me një arsyetim të përgjithshëm se nuk ka shkelje, meqenëse sekuestroja është urdhëruar nga gjykata, duke mos shqyrtuar pretendimin që në zbatim të vendimit të gjykatës, janë sekuestruar sende që nuk kanë lidhje me procedimin, por kanë të dhëna që lidhen me momente të jetës së fëmijëve.

Në vendimin e prishur të 25 Marsit 2024, Gjykata e Lartë ka argumentuar se Danjela Shirka, nuk u ka dhënë përgjigje këtyre pretendimeve dhe nuk ka bërë një shqyrtim efektiv të pretendimit të gazetarit Qyno. Sipas Gjykatës së Lartë, gjyqtarja Danjela Shirka, duhet të kishte verifikuar këtë pretendim në mënyrë që, të mos lejohet cënimi i të drejtës së fëmijëve, e nëse rezultonte që këto materiale kishin këtë përmbajtje, të disponojë më kthimin e atyre që kanë pjesë nga jeta e fëmijëve e familjes.

Më tej Gjykata e Lartë, thotë se Danjela Shirka: …nuk ka verifikuar nëse sendet që kërkohet të kthehen nga ana e ankuesit, ka CD me përmbajtje të jetës personale e familjare, apo nëse kompjuterat e sekuestruar në banesë kanë qenë në funksion të lojërave të fëmijëve. Sekuestrimet janë bërë me datën 13 dhjetor 2023, dhe ka qenë koha e mjaftueshme për të verifikuar nga Prokuroria nëse në ato materiale të sekuestruara, ka sende personale që nuk kanë lidhje me objektin e procedimit të filluar, duke bërë dhe dallimin me pjesën e materialeve që mund të japin njoftim për fakte penale. Kjo gjë duhet të ishte bërë në mbrojtje të jetës personale, familjare e në mënyrë të veçantë të integritetit të fëmijëve të ankuesit e të drejtave të fëmijëve si interesi më i lartë…

Por pavarësisht këtyre detyrave të lëna nga Gjykata e Lartë, Danjela Shirka gjatë seancës së rigjykimit të çështjes, i ka rënë me top vendimit të Gjykatës së Lartë, duke e lënë në fuqi sekuestron. Pas lënies në fuqi, sërish gazetari Qyno i është drejtuar me ankim Gjykatës së Lartë, për rrëzimin e sekuestros. Por treshja e gjyqtarëve Sandër Simoni, Sokol Binaj dhe Ilir Panda, këtë herë kanë vendosur të japin dorëheqjen me argumentin se janë në papajtueshmëri për të gjykuar dhe dhënë mendim dy herë për të njëjtën çështje.

Ndaj që ankimi i gazetarit Qyno, tashmë është marrë në shqyrtim nga gjyqtarët e kolegjit Medi Bici, Albana Boksi dhe Vojsava Osmani, të cilët pas dy herë shtyrje, ditën e djeshme kanë vendosur që çështjen mos e zgjidhin në Dhomë Këshillimi por në Seancë dëgjimore, duke planifikuar datën 2 dhjetor 2024.

Kjo dosje gjykimi, ka lindur për shkak të veprimeve të ndërmarra nga SPAK, mes mesnatës së 13 dhe 14 dhjetor 2023, ku prokurori Behar Dibra dhe oficerë të BKH-së izoluan brenda një zyre gazetarin Qyno, dhe për disa orë me radhë ju kërkua zbulimi i informacionit dhe dorëzimi i telefonit të punës.

Për shkak se gazetari i “Ora News” Elton Qyno, refuzoi të tregojë burimet, prokurori Dibra takoi gjyqtaren Atalanta Zeqiraj dhe për 55 minuta morën tre vendime ndaj gazetarit: kontrolli personal, kontrollin e shtëpisë dhe kontrollin e zyrës së gazetarit. Por SPAK dhe BKH-ja, vijuan me procedura ekstra ligjore, duke kontrolluar dhe bllokuar, sipas Qynos, "pa vendim gjykate", dhe automjetin “Golf 5” të gazetarit dhe familjes së tij. Ndërkohë, Qyno pretendon se po "pa vendim gjykate u kontrolluan dhe ambientet e bar-kafe “Class”", ku ai i kishte lënë në ruajtje dy telefonat personalë dhe të punës./OraNews

Poll

MOS HUMB