Aktualitet

Gjykata e Lartë "i mbyll derën" Edison Memollës, nuk pranon rekursin: Mbetet në fuqi dënimi me 1 vit burg

Me këtë vendim, dënimi ndaj Memollës bëhet përfundimtar, pasi Gjykata e Lartë nuk gjeti shkaqe ligjore për pranimin e rekursit të paraqitur nga mbrojtja e tij.

zh.ll
Gjykata e Lartë "i mbyll derën"  Edison Memollës, nuk
gjykata e larte-edison memolla

TIRANË- Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e ish-kryebashkiakut të Rrogozhinës, Edison Memolla, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit, e cila e dënoi atë me 1 vit burg për korrupsion në zgjedhje.

Me këtë vendim, dënimi ndaj Memollës bëhet përfundimtar, pasi Gjykata e Lartë nuk gjeti shkaqe ligjore për pranimin e rekursit të paraqitur nga mbrojtja e tij.

Ish-kryebashkiaku u shpall fajtor nga dy shkallët e gjykimit për veprën penale të korrupsionit në zgjedhje. Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, të dhënë më 9 shkurt 2026, Memolla u vetëdorëzua në polici dhe më pas u transferua në Burgun e Rrogozhinës, ku po vuan dënimin.

Kryebashkiaku i Rrogozhinës, u mor i pandehur nga SPAK më 19 tetor 2023, pas një denoncimi ku gjatë fushatës elektorale urdhëronte punonjësit e OSHEE që të mos i prisnin energjisë elektrike një familjeje të varfër që nuk kishte mundësi t’i paguante. Në këmbim, familja do të votonte Memollën. Në media u publikua një bisedë telefonike, ku kryebashkiaku dëgjohet t’i kërkonte të bisedonte me elektricistin të cilin e porositi të mos ia presë dritat sa të kalojë edhe muaji i zgjedhjeve.

Sipas SPAK, Memolla ndikoi tek Blerim Xhamani, elektriçist pranë FSHU Durrës, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet lokale, si dhe komunikon me Xhamanin, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, po ashtu në këmbim të votës.

I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i kishte premtuar shtetases për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, ndërsa Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme.

Memolla u rizgjodh kryetar i Bashkisë së Rrogozhinës si kandidat i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 14 majit 2023. Megjithatë, pas ankimeve nga opozita për parregullsi në kutitë e votimit të Burgut të Rrogozhinës zgjedhjet u përsëritën. Memolla i fitoi votimet për herë të tretë në korrik 2023. Megjithatë këtë mandat rrezikon që ta humbasë nëse do të shpallet fajtor./ZËRI

Poll

MOS HUMB