Aktualitet

Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e familjarëve të Ahmetaj, kthimi i sendeve të sekuestruara i pabazë

Sipas gjyqtarëve, prokurorët kanë disponuar me vendimin për sekuestrimin e sendeve midis tyre aparatë telefonikë me arsyetimin se aty mund të gjejnë të dhëna të rëndësishme për hetimin.

I.F
Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e familjarëve të
Arben Ahmetaj

TIRANË- Gjykata Kushtetuese e Turianës ka rrëzuar kërkesën e familjarëve të ish-zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj, për t’iu rikthyer sendet personale. Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, personave që kanë lidhje familjare me të, Brunilda Mena, motra e Ahmetaj, Flamur dhe Teuta Hoxhës dhe Eljona Hoxhës përkatësisht prindërit e bashkëjetueses së Ahmetaj dhe kunatës së saj, iu sekuestruan telefona, USB çelësa makinash dhe pajisje kompjuterikë. Sipas “Top Channel”, gjyqtarët e Kushtetueses e konsiderojnë të pabazuar kërkesën e tyre për t’iu rikthyer sendet personale. Sipas gjyqtarëve, prokurorët kanë disponuar me vendimin për sekuestrimin e sendeve midis tyre aparatë telefonikë me arsyetimin se aty mund të gjejnë të dhëna të rëndësishme për hetimin.

Kushtetusja thotë se telefoni i kunatës së bashkëjetueses së Ahmetaj u sekuestrua pasi ajo është autorizuar nga personi nën hetim për të kryer transaksione bankare në emër të tij, ndaj ekziston dyshimi për transferimin e parave në destinacione të ndryshme. Ata kërkuan shpalljen si antikushtetues të këtyre sekuestrove mbasi shteruan të gjitha shkallët e gjykatave.

Gjykata kushtetuese shton në vendim se prokuroria dhe gjykatat kanë dhënë argumente të mjaftueshme dhe bindëse se përse janë sekuestruar sendet, një pjesë e të cilave pas përfundimit të akt ekspertimit do t’u kthehen pronarëve ndërsa për pjesën tjetër do t’u verifikohet burimi, në kushtet kur vepra që po hetohet është ajo e pastrimit të parave.

Ish-zv kryeministri i vendit, Arben Ahmetaj është aktualisht në kërkim ndërkombëtar, teksa mbi të rëndojnë akuzat “Korrupsion pasiv”, “Fshehje pasurie” dhe “Pastrim parash”. Ish-numrit dy të qeverisë i janë sekuestruar disa pasuri. Disa prej pronave dyshohet se janë vendosur nga raporti që ka pasur Ahmetaj me pronarët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Vetë Ahmetaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat, qoftë për dosjen e inceneratorëve, qoftë për privatizimin e ish-shoqërisë Buka. /ZËRI

Poll

MOS HUMB