TIRANE- Mbi 500 mijë shqiptarë kanë ndjekur dje në të gjitha kanalet e ZËRI-t, dokumentarin tonë të parë. Një investigim i bazuar në një punë voluminoze, ku faktohet katërcipërisht se shërbimi i dytë i shoferëve të taksive të kompanive private, në të paktën 4 raste është shitja e kokainës.
Por nëse në çdo shoqëri normale me një nivel minimal të transparencës, institucionet do të reagonin për të goditur fenomene të tilla, sot 12 orë pas publikimit të gjithë kanë heshtur.
Të parët janë institucionet përgjegjëse. Policia e Shtetit dhe ajo Rrugore, që do të duhet të kishin zbatuar ligjin për vendosjen e kamerave të sigurisë në këto automjete, heshtin në përpjekje për të fituar kohë në një kohë që skandali ka tejkaluar çdo përmasë. Po i njëjti institucion që duhet të kontrollonte licensimin e kompanisë Blue Taxi, ku vetë shoferja pohon me zë dhe figurë që i bën karshillëk Policisë, për 12 orë nuk ka bërë praktikisht asgjë. ZËRI iu drejtua zyrës së shtypit në Polici, por ende nuk kemi marrë një përgjigje?
Çfarë i step për të vepruar? Çfarë i step për të parë atë që mijëra shqiptarë po e shikojnë dhe komentojnë e pranojnë në rrjetet sociale?!
ZËRI i ka dorëzuar Policisë së Shtetit, të gjitha materialet e nevojshme për të bërë identifikimin e përgjegjëse por edhe për të marrë masat, për të shmangur fenomene të tilla.
Të njëjtën heshtje e bëjnë edhe kompanitë private, përgjegjëse që shoferët e tyre shesin drogë. Pasi nuk ia dolën me asnjë mënyrë të bllokonin shfaqjen e dokumentarit bruto, këto kompani, që do të duhet të distancoheshin sot publikisht nga ky aktivitet kriminal i punonjësve të tyre, sot kanë heshtur. Dhe heshtja i bën përgjegjës. Përse do të duhej që këto 4 kompani, të heshtin? Me kë janë palë? Me shoferët e tyre që shesin drogë apo me publikun, të cilit i detyrohen minimalisht një sqarim për atë çfarë është zbuluar se ndodh në radhët e tyre?
Përse këto kompani, arrijnë deri në sulme të ulëta ndaj gazetarëve por nuk marrin përgjegjësitë që iu cakton ligji për të garantuar siguri?
Shoqëria nuk mund të presë dhe të pranojë për normalitet, që disa kompani që ushtrojnë aktivitet tërësisht jashtë rregullave në shtetin shqiptar, të lejojnë që shoferët e tyre të shesin drogë për fëmijët tanë dhe ky të quhet standarti i ri./ZËRI