Aktualitet

GPS i fshehur në një dorezë kirurgjikale! Vrasja e mafiozit në Greqi, zbulohet itinerari i autorëve, mes tyre 2 shqiptarë

Në dosjen hetimore është përfshirë edhe një bisedë e përgjuar e njërit prej të dyshuarve, i cili gjatë komunikimit me një grua është shprehur: ‘Po, jam vrasës dhe hajdut, kam bërë çdo të keqe’.

F.I
GPS i fshehur në një dorezë kirurgjikale! Vrasja e mafiozit
Giorgos Moschouris

GREQI- Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për ekzekutimin e mafiozit grek Giorgos Moschouris në zonën e Halandrit, ndërsa autoritetet greke kanë rindërtuar lëvizjet e grupit që dyshohet se organizoi atentatin. Një pajisje GPS e fshehur në një dorezë kirurgjikale, të cilën e mbante njëri prej të përfshirëve në vrasjen e Giorgos Moschouris, është nën "mikroskopin" e Autoriteteve, raportojnë mediat greke.

Hetuesit dyshojnë se anëtarët e grupit përdornin metoda të sofistikuara për të shmangur gjurmimin nga policia. Njëri prej të arrestuarve kishte me vete pesë telefona celularë të vendosur në ‘airplane mode’, si dhe dy bllokues valësh, me qëllim shmangien e lokalizimit të sinjaleve telefonike.

Në dosjen hetimore është përfshirë edhe një bisedë e përgjuar e njërit prej të dyshuarve, i cili gjatë komunikimit me një grua është shprehur: ‘Po, jam vrasës dhe hajdut, kam bërë çdo të keqe’.

Sipas rindërtimit të ngjarjes, autorët kishin hyrë në Greqi nga jashtë vendit dhe lëviznin me automjete operative, duke ndryshuar vazhdimisht veshjet dhe pamjen për të shmangur identifikimin.

Policia ka dokumentuar itinerarin e tyre që nga orët e para të ditës së atentatit. Një prej automjeteve është identifikuar fillimisht në orën 11:41, ndërsa më pas është regjistruar në zona të ndryshme të Athinës, përfshirë Haidarin, Egaleon dhe Aspropirgosin.

Rreth orës 13:47, dy automjetet e përdorura nga grupi janë filmuar në pikën e pagesës së Metamorfosis, ku autorët kanë paguar cash për të shmangur gjurmët bankare.

Sipas hetimeve, në orën 14:00 automjetet kanë mbërritur në Halandri, pranë klinikës private ku ndodhi ekzekutimi i Giorgos Moschouris, i njohur edhe me nofkën ‘Thamnakia’. Vetëm pak minuta më vonë, kamerat e sigurisë kanë regjistruar lëvizjet e autorëve pranë vendit të ngjarjes.

Hetuesit kanë arritur të rindërtojnë edhe itinerarin e largimit të grupit pas atentatit, deri në momentin kur automjetet e përdorura janë djegur dhe autorët janë larguar nga territori grek. Për ngjarjen janë arrestuar katër persona, mes tyre dy shtetas me origjinë shqiptare, Dhionis Kokoni dhe një person me mbiemrin Jupe, si edhe dy shtetas grekë, Dhimitris Aleksopoulos dhe Aleksandros Petropoulos.

Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë ndihmuar në organizimin dhe ekzekutimin e atentatit mafioz.

Poll

MOS HUMB