Aktualitet

Greqia kërkon ujë nga 'Syri i Kaltër'

Në Korfuz, një iniciativë e Guvernatorit të Qarkut Yiannis Trepeklis raportohet se ka marrë “dritën jeshile” importin e ujit nga burimet në Syrin e Kaltër të Shqipërisë.

k.m.
Greqia kërkon ujë nga 'Syri i Kaltër'
Foto ilustruese

GREQI- "Ujë nga Shqipëria apo nga Sagiadha?,"-kështu e ka hapur një artikull media greke "CorfuPress". Në shkrimin që analizonte problemin e furnizimit me ujë të pijshëm për Korfuzin dhe Lefkadën, si një mundësi "shpëtimi" shihet Shqipëria. Në Korfuz, një iniciativë e Guvernatorit të Qarkut Yiannis Trepeklis raportohet se ka marrë “dritën jeshile” importin e ujit nga burimet në Syrin e Kaltër të Shqipërisë.

Madje pretendohet se edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis i tha "po" perspektivës së ujit nga Syri i Kaltër!

"Transferimi i ujit nga Syri i Kaltër i Shqipërisë përmes një tubacioni nënujor drejt Korfuzit u diskutua gjatë takimit të Guvernatorit të Qarkut të Ishujve Jon me kryetarët e bashkive të ishullit. Për sa i përket mundësisë së bashkëpunimit ndërshtetëror për furnizimin me ujë të ishullit tonë, qeveria duket se konsideron se një perspektivë e tillë nuk do ndikohet nga tensionet ndoshta të përkohshme të krijuara mes dy vendeve,"-shkruan media greke.

Madje përmendet edhe një projekt të përfolur disa vite më parë, ku Italia flitej se do të furnizohej me ujë nga burimet e Gjirokastrës. Projekti, i financuar nga qeveria italiane, do të konsistonte në ndërtimin e një tubacioni nëndetësor 85 km të gjerë dhe 120 km të gjatë, me një kosto prej rreth 1 miliard euro. Qëllimi do të ishte transporti i 150 milionë metër kub ujë në vit drejt Pulias nëpërmjet një tubacioni që do të kalonte përmes detit dhe që pikën më të thellë do ta kishte 850 metra nën ujë.

Nga ky projekt, sipas Corriere della sera, do të përfitonte Italia, e cila vitet e fundit po përballet me një thatësirë të pashoqe, por edhe Shqipëria, e cila do të përfitonte nga hapjan e rreth 8 mijë vendeve të reja pune. Megjithatë, edhe pse projektit iu dha "ok" nga qeveria shqiptare që në vitin 2022, ende nuk është marrë asnjë hap drejt finalizimit. Ndërsa për çështjen e dërgimit të ujit në Greqi, ende nuk ka asnjë konfirmim nga pala shqiptare. E po ashtu, as nuk pritet. Kjo pasi ditët e fundit, me shkarkimin e Fredi Belerit si kryebashkiak të Himarës, tensionet mes dy vendeve janë rritur, ndaj çështja e ujit duket se do të presë edhe këtë verë./ZËRI

Poll

MOS HUMB