
TIRANË- Grupi i kokainës, të cilët u kapën mbrëmjen e 21 marsit në rrugën e Kavajës, duket se i kishin shtrirë gjërë e gjatë 'tentakulat' e tyre në botën e krimit. Sot, në kuadër të vazhdimit të hetimeve në lidhje me grupin, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Tiranë ka zbuluar një "strofkull", ku një prej të arrestuarve kishin ngritur një ambient për "call center-a". Shkëlqim Ostreni dhe bashkëpunëtori i tij, i identifikuar vetëm me inicialet M.H., i cili është shpallur në kërkim nga AMP, i ishin futur "FOREX". Një formë mashtrimi me bursat. Gjatë kontrollit në këtë ambient, u gjetën dhe sekuestruan programe, aplikacione dhe lista emrash me numra italianë, të cilët kontaktoheshin nga operatorët, duke i mashtruar për investime në bursë. Këto mashtrime varionin nga 500 deri në 30 mijë euro për person. Duke u siguruar kështu, dy "investitorëve" kryesorë të ardhura të kënaqshme me biznesin që kishin hapur në rrugën “Idriz Guri” në Astir.
Për të dy pronarët u caktua “arrest në burg” nga Gjykata e Tiranës, në akuzë për mashtrim kompjuterik, ndërsa Ostreni ka edhe akuza të tjera nga aksioni i disa ditëve më parë. Mbi të rëndojnë akuzat për prodhim dhe shitje të narkotikëve. Kjo pasi disa netë më parë, ai u kap gjatë një operacioni antidrogë ku mbeti i plagosur 30-vjeçari Enea Sulejmani dhe u sekuestrua një kilogramë kokainë. Enea Sulejmani, Igli Begaj dhe Shkëlqim Osteni, dyshohet se prej kohësh operonin si furnizues kokaine në zonën e Xhamllikut. Duke qenë se kryenin lëvizje të dyshimta, prej më shumë se 2 muajsh mbaheshin nën vëzhgimin e Policisë, deri natën e 21 marsit. Atë natë do të bënin shkëmbimin e 1 kile kokainë dhe kishin lënë vendtakimin tek rruga e Kavajës.
Por me të ndërhyrë patrulla, tentuan që të shtypnin efektivët që po u ishin vënë pas. Derisa në një moment, një prej tyre qëlloi drejt tyre duke plagosur në fundshpinë 30-vjeçarin që ende ndodhet në spital. Disa ditë më parë, në pranga përfundoi edhe kolegu i tyre, polici i “Operacionales”, Ervis Shkurta. Natën që u krye operacioni Shkurta komunikonte me Ostrenin.
“Hë mbaruat?,”-shkruante Shkurta në "WhatsApp-in" e Shkëlqim Ostenit, i cili e kishte shënuar me emrin "Visi i Pazarit". Duke qenë se nuk kishte marrë asnjë përgjigje, Shkurta e telefonoi disa herë shokun e tij me numrin britanik që përdorte për shkëmbime të tilla, por nuk mori asnjë përgjigje. Por la mjaftueshëm shenja për t'u prangosur edhe vetë. Edhe pse mohon çdo akuzë të ngritur ndaj tij, AMP zbuloi se oficeri ka patur dijeni të plotë për shkëmbimin e drogës, e cila do t’u dorëzohej shpërndarësve në zonën e Xhamllikut, në Tiranë. E po ashtu, njoftuan se hetimet për grupin do të vazhdonin, duke zbuluar "call-center-in" e sotëm. Mesa duket, ky biznes ishte një mënyrë e mirë e gjetur nga Osteni për të pastruar paratë që fitonin nga droga. Megjithatë, ka ende shumë për t'u zbuluar nga aksioni. Ende nuk dihet se nga kush e merrnin drogën 3 të arrestuarit dhe kujt konkretisht ia shisnin në Xhamllik. Hetimet vazhdojnë, por deri më tani duket se të arrestuarit kanë zgjedhur që të mos pranojnë asgjë./ZËRI