TIRANË- Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se ka identifikuar një faqe interneti që imiton informacionin e faqes zyrtare të aplikimit për vizë hyrëse të shtetasve të huaj në Shqipëri.
MEPJ sqaron se kjo nuk është faqe zyrtare dhe nuk është e autorizuar nga autoritetet shtetërore për të ofruar shërbime apo informacion mbi procedurat e vizave. Sipas njoftimit të ministrisë faqja e vetme zyrtare për aplikime elektronike për vizë është "https://e-visa.al/".
Organet e sigurisë kibernetike dhe autoritetet ligjzbatuese po ndërmarrin masa për bllokimin e aktiviteteve të paligjshme dhe ndjekjen e personave përgjegjës sipas ligjit.
Njoftimi i plotë:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) njofton se, në vijim të monitorimit të vazhdueshëm të burimeve të hapura në internet, është konstatuar ekzistenca e faqes:
https://evisia-al.com/albaniavisaenquirylive/ e cila përmban materiale dhe informacion të ngjashëm me ato të publikuara në faqen zyrtare të aplikimit për vizë hyrjeje të shtetasve të huaj në Republikën e Shqipërisë.
Në këtë kuadër, sqarojmë se faqja e sipërcituar nuk është faqe zyrtare dhe nuk është e autorizuar nga autoritetet shtetërore shqiptare për të ofruar informacion apo shërbime lidhur me procedurat e vizave.
Theksojmë se faqja e vetme zyrtare për aplikimet për vizë elektronike shqiptare, së cilës duhet t’i drejtoheni, është: https://e-visa.al/.
MEPJ u bën thirrje qytetarëve dhe të interesuarve të tregojnë kujdes maksimal dhe të përdorin vetëm burime zyrtare për aplikime dhe informacion, me qëllim shmangien e çdo abuzimi të mundshëm.
Organet e sigurise kibernetike dhe autoritetet ligjzbatuese po marrin masa për të bllokuar cdo aktivitet të paligjshëm si dhe gjurmimin dhe ndjekjen e personave përgjegjes sipas legjislacionit në fuqi.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është duke e ndjekur këtë çështje me qëllim marrjen e masave të nevojshme.
/ZËRI