TIRANË- Besimtarët katolikë në Shqipëri dhe në mbarë botën po kremtojnë sot Pashkët, një nga festat më të rëndësishme të besimit të krishterë, që simbolizon ringjalljen e Jezu Krishtit dhe triumfin e jetës mbi vdekjen.
Në kryeqytet, kremtimet u zhvilluan në Katedralen “Shën Pali”, ku qindra besimtarë morën pjesë në meshën solemne të mesnatës. Po ashtu edhe në mëngjesin e së dielës besimtarët katolikë drejtohen drejt meshës së shenjtë, e cila nis në orën 10:00.
Kjo ditë shoqërohet me rite dhe tradita të veçanta, ku vezët e kuqe mbeten simboli kryesor i kësaj feste.Besimtarët i thyejnë ato mes njëri-tjetrit, duke shkëmbyer urime për shëndet dhe mbarësi.
Si përcaktohet data?
Pashkët nuk festohen çdo vit në të njëjtën datë. Ato përcaktohen sipas kalendarit hënor dhe bien gjithmonë të dielën që pason hënën e plotë të parë pas ekuinoksit pranveror, i cili shënohet më 21 mars. Për këtë arsye, festa mund të lëvizë çdo vit, duke u kremtuar në periudhën nga 22 marsi deri më 25 prill.
Në familjet shqiptare, Pashkët festohen me tryeza të pasura tradicionale, ku nuk mungojnë gatimet karakteristike të zonave dhe krahinave të ndryshme. Përveç dimensionit festiv, kjo festë mbart një mesazh të fortë shpirtëror, duke nxitur reflektim, falje dhe solidaritet mes njerëzve./ZËRI