
TIRANË- Një protestë është zhvilluar ditën e sotme para Gjykatës Kushtetuese në mbështetje të kryetarit të zgjedhur të Himarës Fredi Belerit.
Qytetarët janë shfaqur para derës së Gjykatës Kushtetuese me pankarta në duar dhe kanë kërkuar që kjo gjykatë të respektoje vullnetin e qytetarëve dhe të lejojë Belerin të betohet.
“Himara vendosi!”, “Respektoni Kushtetutën”, “Respektoni vullnetin e popullit”,-thuhej në pankarta.
Kujtojmë se në seancën e fundit Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e Fredi Belerit, për të marrë leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës. Apeli ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për Belerin, duke mos lejuar betimin e tij, pavarësisht se tashmë kanë kaluar të gjitha afatet ligjore.
Fredi Beleri u arrestua në një lokal në Himarë, 2 ditë përpara zgjedhjeve të 14 majit. Ai dyshohet se ka blerë vota, së bashku me bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshin. Beleri nuk ka kryer betimin, pasi gjykata nuk i ka dhënë leje për diçka të tillë. Çështja Beleri ka kaluar tashmë edhe kufijtë e Shqipërisë, duke u bërë “mollë sherri” edhe në marrëdhëniet me Greqinë./ZËRI