
GREQI- Enkelejda Danaj (Limaj) është përcjellë sot për në banesën e fundit, pasi bashkëshorti i saj, Eduart Danaj e vrau në mënyrë mizore teksa kthehej nga puna në Greqi, Athinë. Të afërmit dhe familjarët u mblodhën për t’i dhënë sot lamtumirën Enkelejdës që e varrosën në Vlorë, aty ku prehen dhe të afërmit e saj të ndjerë.
Por cila ishte historia e Enkelejda Limajt?
Ajo ka lindur në Vlorë dhe është rritur në qytetin bregdetar ku dhe u njoh me dashurinë e jetës, njeriu nqë përfundoi duke i marrë jetën. Kur Enkelejda ishte vetëm 17 vjeçe u martua me Eduartin dhe të dy u zhvendosën për të jetuar në Greqi, ku dhe sollën në jetë dy fëmijë.
Të afërm të viktimës kanë rrëfyer se çifti kanë pasur problem prej vitesh, por asnjëherë nuk e kishin menduar se do të përfundonin kështu.
“Kanë jetuar jashtë, problemet i kanë hequr familja, i ati dhe e ëma. Kanë pasur probleme, siç thonë këta, por sakrifikoi për hatër të fëmijëve, sa dha edhe jetën”, tha një prej tyre për Panorama.
“Gjendje më e rëndë se kjo nuk ka ku shkon më. Kanë vite që jetojnë jashtë, e kemi shok, koleg, e di që në kohën që është lidhur me të. I bëri dokumente, e mori atje. Ndodhi kjo që ndodhi”, u shpreh një tjetër.
Enkelejda u godit me thikë mbi 10 herë nga bashkëshorti i saj Eduart Danaj, i cili u largua duke e lënë në rrugë trupin e gruas të mbuluar në gjak.
Eduart Danaj ka pranuar në polici se e ka ditur itinerarin e 40-vjeçares dhe e ka vëzhguar në mënyrë që t’i zinte pritë. Videoja e publikuar nga mediat greke ka treguar dhe momentin kur Eduart Danaj i del para bashkëshortes Enkelejda Danaj dhe kur ajo e sheh ndalon në rrugë. Më pas, 50-vjeçari i afrohet asaj dhe fillon ta godasë vazhdimisht me thikë më shumë se 10 herë. Në fund ai e lë thikën të ngulur në trupin e saj të pajetë dhe u largua nga vendi i ngjarjes.