
BRITANI E MADHE- Alfred Dosku i dha fund jetës në qendrën e dëbimit të azilantëve në Colnbrook House në fillim të nëntorit 2023. Por edhe pas kaq shumë muajsh familja e emigrantit shqiptar ende nuk ka marrë përgjigje mbi rrethanat e vdekjes.
“Duam vetëm të dimë se çfarë ka ndodhur. Bisedën e fundit e pati me vëllanë, ishte gati të kthehej. Ishte gati të bashkohej me familjen. Vdekja e tij është plotësisht e pakuptueshme”,- u shpreh kushërira e të ndjerit, Ledisa Hysa Dosku, raporton BBC.
Një hetim jurie në gjykatën e Horsham Coroner, West Sussex, do të mbahet për vdekjen e 37-vjeçarit. Gjatë një rishikimi para hetimit, mjekja e vjetër Penelope Schofield tha se hetimi do të shqyrtonte çështjet që lidhen me vdekjen e tij. Hetimi është planifikuar të zhvillohet brenda dhjetorit të këtij viti në një datë që do të vendoset.
Alfred Dosku nga Librazhdi në nëntor 2023 tentoi të varte veten me çarçaf, brenda kampit të emigrantëve, ku po mbahej prej rreth 10 ditësh me qëllim dëbimin nga Anglia. Ai mbërriti në spital me shenja jete, ku u mbajt për rreth një javë me aparatura, por fatkeqësisht nuk arriti dot të mbijetojë, duke ndërruar jetë. Ai u gjet në dhomë i varur me çarçafë, veprim të cilin e kishte ndërmarrë 20 minuta përpara se të zbulohej nga shoku i dhomës. Besohet se një depresion i mundshëm prodhoi tentativën e vetëvrasjes e të riut nga Librazhdi i cili ishte marrë nga oficerët e emigracionit në banesën ku jetonte në Londër. Një hetim i shtatorit 2023 zbuloi se në qendrën e mbajtjes të emigrantëve Brook House ku tentoi vetëvrasjen shqiptari, në mënyrë të përsëritur kishte dhunë fizike dhe verbale./ZËRI