
ITALI – Djali i xhaxhait të Bledar Dedjas, që u gjet i masakruar në një zonë pyjore në Itali, ka ndarë detaje në lidhje me dyshimet për vrasjen e 39-vjeçarit.
Kushëriri, në një komunikim në emisionin “Me zemër të hapur” tha se asgjë nga ata që shkruajnë mediat nuk është e vërtetë. Ai ka përjashtuar faktin se në këtë rast kemi të bëjmë me ndonjë krim pasioni. Kushëriri deklaroi se Bledar Dedja ishte person i qetë, ndërsa u shpreh se arsyeja pse është vrarë mund të jetë grabitja.
“Nuk ka asgjë të vërtetë nga ato që fliten. Absolutisht asgjë të vërtetë. Ishte si qingj i urtë. Unë flisja për çdo ditë me të. Ai punonte me nipin tim. Besoj se ajo që i ka ndodhur ka qenë momentale. Dyshimet e mia janë se ose kanë tentuar që ta grabisin ose bëhet fjalë për ndonjë pisllik. Sepse ai ka punuar jashtë Shqipërisë prej shumë kohësh, u bënë 20 vite. Ne jetojmë të gjithë bashkë në Itali dhe shpesh mblidheshim për kafe me njëri-tjetrin. E kemi marrë në celular dhe nuk e hapte telefonin. Kemi menduar fillimisht se e ka zënë gjumi në makinë. Besoj se dhe telefonin ia kanë marrë. Vendi ku ka ndodhur krimi është i ftohtë. Mund ta kenë rrëmbyer së bashku me makinën. Nuk ka qenë vetëm një person që ka kryer këtë krim. Mund të kenë qenë 2-3 persona.
E kemi gjetur trupin, pasi kemi kërkuar gjatë gjithë natës. Ai nuk ishte tipi që të qëndronte në lokale. Gjithsesi edhe në lokale kemi kontrolluar. Më pas gjetëm trupin dhe vumë re se gjithçka ka shkuar në mënyrë tragjike. Pas kësaj kemi telefonuar policinë. Në trup ka pasur çarje, gërvishtje me thikë, kështu më kanë thënë, se unë vetë nuk e kam parë. Trupi nuk ka qenë i zhveshur, siç është pretenduar. Për ne ngjarja ka qenë një rastësi dhe është e frikshme, sigurisht. Trupi ka qenë larg makinës rreth 100 metra. Makina nuk ka asnjë shenjë dëmtimi. Sa i përket varrimit, nuk e dimë ende nëse do të bëhet në Shqipëri apo në Itali”, tha kushëriri.
Bledar Dedja, 39 vjeç u gjet i vrarë në një zonë pyjore në Itali. Mediat italiane kanë shkruar se trupi i tij është gjetur gjysmë i zhveshur, ndërsa familjarët pretendojnë se kjo nuk është e vërtetë. Hetimet për të gjetur autorët e krimit vazhdojnë./ZËRI/