
ITALI- "Nuk e di çfarë ka ndodhur, ishte një rrufe në qiell të hapur. E pamundur ta parashikosh apo edhe ta mendosh sepse Bledari ishte një person i mirë si buka. Një gjë e di, ndoshta ka parë ose dëgjuar diçka që nuk duhet ta kishte,”-kështu tha vëllai i 39-vjeçarit shqiptari, i cili u gjet i masakruar në pyll. Një fytyrë e tërhequr, një italishte e folur me pak shqip, vëllai i madh i Bledar Dedajt qëndron përpara portës së hyrjes së stacionit të karabinierëve në Asolo. Mediave italiane që iu afruan për një intervistë u tha: Vetëm shkruaj që unë jam vëllai dhe motra jonë është këtu. Mos i vendosni emrat tanë, nuk duam. Pavarësisht dhimbjes, mosbesimi ndaj të panjohurit që u bën pyetje është ende i madh. Edhe ai u intervistua nga ata që kryenin hetimet. Ai ka pranë vetes gruan e tij.
“Nuk ishte tip që të merrte rrugë të gabuara në jetë. Ishte për së mbari, nuk pinte, nuk kishte borxhe, nuk i mungonte asgjë. Ishte njeri i qetë, punonte natë e ditë si murator. Kishte pak kohë që kishte ndryshuar punë, sepse donte të fitonte pak më shumë. Kishte dalë nga shtëpia dje në mëngjes dhe kishte qenë në punë deri në orën 4 të pasdites. Pastaj nuk shkoi në shtëpi, por në një vend tjetër me miqtë e tij. Të paktën kështu i ka thënë të shoqes. Mendojmë se ndoshta ka zbuluar diçka, ndaj dhe e kanë vrarë. Duam të vërtetën. Nuk e prisnim kurrë diçka të tillë, nuk ishte njeriu i tillë. Ka marrë vesh diçka që nuk duhet ta dinte. Duam të shohim të dhënat nga telefoni i tij: në orën 8 nuk binte më zilja. Sigurisht ne si familje mund të mos i dimë të gjitha, por duam të vërtetën. U thashë karabinierëve: kontrolloni të gjitha lokalet e restorante e Fonte, shihni të gjitha telekamerat, duhet të dallohet diçka,"-tregoi ai.
Pastaj më tej, në anën tjetër të rrugës, motra, duke qarë e dëshpëruar ulur në një trotuar e rrethuar nga të afërmit dhe miqtë:
"Dua drejtësi nga karabinierët. Dua të di kush ishte. Nuk janë vetëm 2-3 persona. Duhet të kontrollojnë makinat që kanë kaluar, ku shkoi, në cilin lokal ishte: të gjithë flasin mirë për të. Dua të di motivin. Nuk ishte tipi që të kishte probleme me drogën apo paratë. Ishte një djalë i qetë, fola të premten. Kishte qenë në punë gjithë ditën. Ishte vëllai im, nuk është zënë kurrë me askënd, nuk është i aftë të zihet me njeri,”-tregon e motra e tij.
Në via Tiepolo në Asolo, në numrin 3, nuk lëviz asgjë. Grilat e shtëpisë Dedja janë të gjitha të mbyllura. Familja pret drejtësi./ZËRI