Aktualitet

Sulmi ndaj Izraelit, bllokohen në Tel Aviv disa punonjës të Ministrisë së Turizmit dhe operatorë turistikë

Ata kishin fluturuar drejt Izraelit në datën 11 Prill

E.K
Sulmi ndaj Izraelit, bllokohen në Tel Aviv disa punonjës të
Foto ilustruese

TIRANË- Disa operatorë turistikë dhe punonjës të Ministrisë së Turizmit nga Shqipëria kanë mbetur të bllokuar në Izrael, pas bllokimit të linjave ajrore, si pasojë e sulmeve të Iranit me dronë dhe raketa.

Përveç rezidentëve shqiptarë që jetojnë në Izrael, rrezikun po e ndjejnë edhe disa sipërmarrës shqiptarë që kishin shkuar për vizitë të përkohshme. Një ditë para sulmit të befasishëm nga Irani ata morën pjesë në një aktivitet turistik ‘Albania all senses” me ftesë të ambasadores shqiptare Meri Kumbe në bashkëpunim me autoritetet izraelite ku ishin të pranishëm edhe operatorë turistikë izraelitë. Një udhëtim i cili ishte planifikuar të zgjaste rreth pesë ditë por që sulmi i raketave prishi planin e tyre.

Në datë 11 prill ata fluturuan nga Tirana drejt Tel Avivit, për t’u rikthyer në Shqipëri këtë të diel. Por orari i nisjes në 5 të mëngjesit nga aeroporti u anulua dhe tashmë 8 shqiptarët janë të detyruar të presin hapjen e fluturimeve. Burime pranë Top Channel bëjnë me dije se kompanitë ajrore nuk marrin përsipër fluturimet në këtë situatë dhe shpresat i kanë te data 19 prill, ku mendohet të organizohet një charter për ta drejt Qipros.

Ky informacion konfirmohet për Top Channel nga Unioni Turistik Shqiptar. Menjëherë të ftuarit shqiptarë nga Izraeli janë marrë në sigurinë e autoriteteve vendase dhe po strehohen në kryeqytetin izraelit në një strukturë akomoduese të sigurt që ndodhet në një zonë pranë me ambasadën amerikane, në hotelin Kempinski në Tel Aviv.

Poll

MOS HUMB