KRUJË- Policia e Krujës ka zhvilluar një operacion në banesën e 48-vjeçarit Ylli Zalla i cili dyshohet se ka furnizuar me armë autorët e vrasjes së dyfishtë në Rinas ku humbën jetën Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani. Gjatë operacionit u gjetën dhe sekuestruan një sasi municioni luftarak dhe 14 fitila zjarrpërcjellës në oborrin e banesës së 48-vjeçarit.
Policia njofton se sendet e gjetura janë sekuestruar ndërsa po punohet për kapjen e 48-vjeçarit. I shumëkërkuari Ylli Zalla ka arritur t’i shpëtojë një operacioni policor në Fushë Krujë, pavarësisht se ishte lokalizuar nga uniformat blu.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, gjatë kontrollit të kryer në banesën e shtetasit të shpallur në kërkim, Y. Z., gjetën në oborr, një sasi municioni luftarak dhe 14 fitila zjarrpërcjellës. Sendet e kundërligjshme u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, ndërkaq, vijon puna për kapjen e shtetasit Y. Z.”, njofton Policia.
Mjeti tip 'Toyota Yaris' i autorëve të atentatit në Rinas doli nga banesa e Ylli Zallës, i shpallur në kërkim për arsenalin e armëve të gjetur në Nikël. Zalla dyshohet se është personi që iu ka siguruar armët atentatorëve. 48-vjeçari i shpallur në kërkim nga policia, rezulton person me precedentë penalë për trafik armësh dhe vendosje eksplozivi. Ylli Zalla njihet edhe për rekrutime të shqiptarëve në ISIS.
Në bazën e dytë në fshatin Zall u gjetën në tokë dhe u sekuestruan 24 kallëpë tritoli, 11 granata dore sulmuese, sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitila zjarrpërcjellës, 5 ndezës granatash, 74 kapsolla detonatore, 19 mbështjellje sferike C4, 11 kallëpë dinamiti, 3 armë zjarri, krehra dhe pjesë armësh, 2 silenciatorë, 9000 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 6 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, uniforma policie dhe sende të tjera të kundërligjshme./ZËRI