Aktualitet

Rikthimi i basteve sportive online: Lojtarët të identifikohen! Jo më para në dorë, çdo tërheqje në bankë

Rikthimi i basteve sportive shoqërohet me njëseri rregullash, nga detyrimi i identifikimit të lojtarëve, kufi për financimin deri tek kohë përgjigjia nën 200 milisekonda.

F.I
Rikthimi i basteve sportive online: Lojtarët të identifikohen! Jo
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Në Fletoren Zyrtare janë përcaktuar standardet teknike për funksionimin e basteve sportive online në Shqipëri.  Rikthimi i basteve sportive shoqërohet me njëseri rregullash, nga detyrimi i identifikimit të lojtarëve, kufi për financimin deri tek kohë përgjigjia nën 200 milisekonda. Qëllimi i këtij akti është eliminimi i tregut të zi, mbrojtja e konsumatorit dhe transparenca totale fiskale.

Në fokus të rregullave janë kushtet teknike që duhet të plotësojnë platformat online, duke përfshirë identifikimin dhe regjistrimin e lojtarëve. Çdo lojtar duhet të regjistrohet me të dhëna të plota personale, përfshirë dokument identifikimi, adresë dhe kontaktet përkatëse, ndërsa verifikimi i identitetit bëhet përmes email-it ose numrit të telefonit. Llogaritë do të mbrohen me fjalëkalime komplekse (minimumi 9 karaktere) dhe autentifikim me dy faktorë (2FA).

Në aspektin teknik, sistemet duhet të garantojnë funksionim të pandërprerë 24 orë në 7 ditë të javës, me infrastrukturë të sigurt, kopje rezervë dhe plane rikuperimi në rast emergjencash. Çdo biletë basti, pagesë dhe fitim do të transmetohet në kohë reale në Sistemin Qendror të Monitorimit Online (SQMO) pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF). Të gjitha gjurmët digjitale (log-et) duhet të jenë të pandryshueshme dhe të ruhen për një periudhë minimalisht 5-vjeçare për qëllime auditimi.

Platformat duhet të kenë një arkitekturë që përballon flukse të larta, me kohë përgjigjeje nën 200 milisekonda dhe funksionim të garantuar 99.9% të kohës.

Platformat detyrohen të ofrojnë opsione të menjëhershme për “vetëpërjashtim” dhe vendosje të kufijve financiarë. Sistemi do të refuzojë automatikisht çdo bast që tejkalon këta kufij të vendosur nga vetë përdoruesi.

Rikthimi i basteve sportive online: Lojtarët të identifikohen! Jo

Depozitimet dhe tërheqjet do të kryhen ekskluzivisht përmes kanaleve bankare ose agjentëve financiarë të licencuar, duke goditur pastrimin e parave. Çdo faturë apo biletë elektronike duhet të përmbajë NIPT-in e operatorit, orën e saktë, vlerën e fitimit potencial, referencën e pagesës, si dhe paralajmërimin ligjor: “Lojërat e fatit krijojnë varësi. Kujdes në ushtrimin e tyre të tejzgjatur!”.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi 30 ditë pas botimit të tij në Fletoren Zyrtare, duke i lënë operatorëve të interesuar një dritare për t’u përshtatur me këto kërkesa teknologjike./ZËRI

Poll

MOS HUMB