
ITALI- Një shqiptar është vendosur në prangat e Policisë italiane! Madje nuk e shpëtoi as fakti që kishte marrë mbiemrin e gruas së tij italiane. Shqiptari, i paidentifikuar me emër në media, u vendos në pranga gjatë fundjavës. Operacioni u drejtua nga shefi i policisë Luigi Mangino dhe u zhvillua në fundjavë. I kërkuari fillimisht dorëzoi një dokument me gjeneralitete të ndryshuara, pasi kishte marrë mbiemrin e bashkëshortes italiane, por kjo nuk e shpëtoi nga identifikimi dhe arrestimi.
Kjo për shkak se ishte dënuar me 7 vite burg. Personi i arrestuar u zbulua se ishte i përfshirë në një incident që kishte shkaktuar shqetësim të madh në komunitetin Terni. Por ajo që e vendosi përfundimisht në pranga ishte një nënë e guximshme, e cila shkoi dhe raportoi në Polici se ishte shqiptari ai që kishte përfshirë djalin e saj në "vorbullën" e trafikut të kokainës. I riu, në fakt, ishte i varur nga droga, kështu që ishte detyruar që për të larë borxhet që kishte, të niste shitjen për llogari të grupit. Për të nxjerrë djalin nga grupi, nëna e tij kishte filluar të shiste mallra me vlerë, madje dhe makinën e saj për të shlyer kërkesat e trafikantëve të drogës.
Me gjithë përpjekjet e gruas, kërkesat nuk u ndalën kurrë dhe situata ishte bërë e papërballueshme. E rraskapitur dhe e shqetësuar për jetën e të birit, gruaja më në fund shkoi dhe kërkoi ndihmë nga Policia, e cila nisi hetimet. Pas identifikimit dhe arrestimit të shumë shpërndarësve të drogës, agjentët e kishin pasur megjithatë të vështirë të kapnin një nga të dyshuarit kryesorë, shtetasin shqiptar, i cili kishte arritur t'i shpëtonte drejtësisë.
Burri ishte larguar nga Italia dhe është kthyer në Shqipëri, ku edhe ndryshoi mbiemrin e tij, por kjo nuk e pengoi Policinë që të zbulonte identitetin e tij të vërtetë duke e vendosur në pranga. Sipas mediave italiane, denoncimi i gruas dëshmon edhe një herë rëndësinë e punës së përbashkët mes Policisë dhe komunitetit, një përpjekje që jo vetëm mundëson çmontimin e rrjeteve kriminale, por ndihmon edhe në mbrojtjen e familjeve vulnerabël nga rrjetet e trafikut të drogës. Nëna, e cila pati guximin të përballej me frikën e saj për hir të djalit të saj, ka treguar se sa thelbësor është roli i qytetarisë në procesin e luftimit të krimit; duke shkatërruar kështu një grup kriminal./ZËRI