
TIRANË- Pak ditë më parë u arrestua në Turqi Ibrahim Lici, i cili ishte shpallur në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës. Ditën e sotme Mustafa Lici, babai i Ibrahim Licit është paraqitur në SPAK ku ka mohuar akuzat para hetuesve. Mustafa Lici deklaroi se djali i tij Ibrahimi ka qenë në Tiranë ditën që është vrarë Endri Mustafa. Lici ka dorëzuar në SPAK pamje të cilat sipas tij vërtetojnë vendodhjen e Ibrahimit ditën e krimit. Sipas Mustafa Licit dosja u montua nga drejtori i policisë së Shkodrës që ishte atëkohë dhe oficeri Ardit Hasanbega që u arrestua në kuadër të operacionit ‘Metamorfoza’, ku ndër të tjera grupi kundërshtar Bajri po planifikonte vrasjen e Ibrahim Licit. Ibrahim Lici, një prej 5 personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare uarrestua nga Policia në Turqi në 15 shkurt. Lokalizimi i tij në Turqi është bërë nga pala shqiptare, të cilët kanë ndjekur një person të besuar të tij që udhëtoi nga Shqipëria për ta takuar. Prokuroria e Shkodrës i ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë, dosjen e tij, së bashku me kërkesën për ekstradimin drejt Shqipërisë.