
TIRANË- Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka zbarkuar sot në kompleksin e vilave luksoze "Rolling Hills", në Lundër për shembjen e disa objekteve pa leje. Konkretisht bëhet fjalë për 6 vila në 'Rolling Hills', pronarët e të cilave kishin bërë shtesa pa leje. Lidhur me aksionin e ndërmarrë nga IKMT, ka pasur edhe një reagim nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Balla shkruan se të gjithë duhet të japin llogari para ligjit dhe askush nuk duhet të shpërfillë me arrogancë komunitetet, duke ndërtuar pa leje.
“Policia e Shtetit dhe Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit po angazhohen çdo ditë për dhënien fund të ndërtimeve, shtesave pa leje dhe çdo shfaqje tjetër abuzive, pa asnjë dallim se ku ndodhet apo kush e zotëron. Të gjithë duhet të japin llogari para ligjit dhe askush nuk mund të shpërfillë me arrogancë komunitetet, duke ndërtuar pa leje. Na duhet një angazhim edhe më i madh i të gjitha bashkive dhe agjencive për identifikimin, penalizimin, shembjen apo konfiskimin për interes publik të të gjitha sipërfaqeve në pallate, qendra biznesi, hotele të ndërtuara në shkelje të ligjit. Të gjitha katet e konfiskuara do të shkojnë për strehim social apo për mjedise pune për institucionet publike,”- shkruan Balla.
Megjithatë ende nuk dihet nëse ky do të jetë aksioni i vetëm në vend lidhur me objektet pa leje./Zëri.ai