
TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ka lëshuar 6 urdhërarreste të reja për persona të lidhur me aferën e inceneratorit të Tiranës. Mësohet se SPAK ka lëshuar urdhërarreste për shtetasit Denisa Tollkuci, Dashamir Ymeraj dhe Endrit Habilaj. Urdhër-arreste janë lëshuar edhe për tre shtetas të huaj, por asnjëri prej tyre nuk është arrestuar deri më tani.
Inceneratori i Tiranës është sekuestruar nga SPAK që prej verës së vitit 2023, pasi rezultoi se kompania e cila fitoi koncesionin për ndërtimin e inceneratorit me vlerë 128 milionë Euro, ka si pronarë biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto. Të dy këta të fundit, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit.
Disa muaj më parë, në Dhjetor 2023, SPAK lëshoi 15 urdhër-arreste për inceneratorin e Tiranës, mes të cilëve zyrtarë të Bashkisë së Tiranës dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit. Arrest në burg u caktua për Taulant Tushën, drejtor në Bashkinë e Tiranës. Në të njëjtën masë u vendos edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i dënuar për 2 koncensionet e tjera të inceneratorëve, si dhe ish-Sekretari i kësaj ministrie, Alqi Bllako.
Pjesa tjetër e personave që u akuzuan janë anëtarë të komisioneve përzgjedhëse të koncensionit.
Edhe 2 biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto janë nën hetim për inceneratorin e Tiranës./ZËRI