
SHKUP- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u mirëprit në Shkup nga kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski. Kurti shkoi në Shkup së bashku me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ministren e drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Një nga temat e diskutuara gjatë një konference për shtyp ishte dhe incidenti që ndodhi më 2 Gusht në Aeroportin e Shkupit, ku një nga anëtarët e personelit të sigurisë, sulmoi presidenten Vjosa Osmani. Sipas Mickoskit, ky është një incident që do të zgjidhet brenda Maqedonisë së Veriut, por gjithashtu nuk la pa përmendur edhe se Osmani nga ana e saj duhej të zbatonte rregulloren. Kryeministri theksoi se janë disa procedura që duhet të zbatohen në aeroport edhe pse vizitorët ndodhën në zonën “VIP”.
“Diskutuam edhe për temat që në nivel politik janë të rëndësishme, veçanërisht ngjarja e fundit që ndodhi më 2 gusht, me presidenten e Kosovës. Po ashtu nga të pranishmit u nënvizua se sipas informacioneve që kemi nga personat zyrtarë nga aeroporti i “TAF”, është se ndiqen standarte të qarta dhe procedura ndërkombëtare, kur kemi fluturime komerciale dhe se nën këto procedura i nënshtrohem edhe unë si kryeministër i Maqedonisë së Veriut, presidentja e Maqedonisë së Veriut, dhe të gjithë personat zyrtarë që kalojnë në zonën “VIP”, edhe pse dua të them se unë atë nuk e përdor, por përdor pjesën si qytetar i thjeshtë. Na vjen keq dhe nuk duam të përsëritet. Unë personalisht theksoj se presidentja e Kosovës është e mirëseardhur, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë nga Kosova. Kur të vijë sërish dhe nëse informohem në kohë do të kem kënaqësinë ta mirëpres në aeroportin e Shkupit që t’i shmangim këto incidente, dhe veçanërisht sjelljeve të individëve që është problem i jonë i brendshëm që do ta zgjidhim brenda shtetit tonë. Kjo që ndodhi është diçka që do ta zgjidhim brenda shtetit tonë”, tha Mickoski.
Por, sipas njoftimit të lëshuar nga Presidenca e Kosovës, krerët e shteteve sipas rregullave diplomatik ndërkombëtar nuk iu nënshtrohet një kontroll personal, si marrja e telefonit apo edhe bagazhit personal.
Nga ana tjetër, Kurti u shpreh se në momentin kur të zbardhet ngjarja, do të ketë një njoftim zyrtar.
“Padyshim që ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e presidentes së Kosovës me 2 gusht në aeroportin e Shkupit, aq më tepër që ka qenë me familje. Krerët shtetëror këtu kanë shprehur keqardhjen e tyre dhe do te ketë një raport zyrtar që do ta zbardhë rastin në tërësi,”- theksoi Kurti.
Që kur ka ndodhur incidenti dhe deri më sot, Kurti ka heshtur përsa i përket këtij rasti dhe nuk e ka adresuar asnjëherë publikisht. E njëjta heshtje ka ardhur edhe nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Incidenti në fjalë ndodhi të enjten, më 2 gusht, në Shkup, kur stafi i sigurisë të aeroportit kërkoi të kontrollonte me skaner telefonin e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani. Punonjësit e kompanisë që menaxhon aeroportin ndërkombëtar të Shkupit u përplasën fizikisht edhe me truprojat e presidentes Osmani. /ZËRI