Aktualitet

Incidenti në burgun e Fierit/ Transferohen dy të dënuar, nën hetim 6 policë

Në lidhje me ngjarjen janë marrë në pyetje gjashtë punonjës të policisë së burgjeve. Katër prej tyre pritet të pezullohen nga detyra, pasi dyshohet se kanë neglizhuar rregullat dhe masat e sigurisë gjatë kohës që ishin në shërbim.

M.K.
Incidenti në burgun e Fierit/ Transferohen dy të dënuar,
FOTO ILUSTRUESE

FIER- Pas incidentit të ndodhur një ditë më parë në burgun e Fierit, ku mbetën të dëmtuar dy të dënuar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë masa ndaj personave të përfshirë dhe punonjësve që ishin në shërbim në momentin e ngjarjes.

Aldo Gjini është transferuar në burgun e sigurisë së lartë në Burrel, ndërsa Jurgen Zotaj, i cili ndodhej në Spitalin e Fierit, është dërguar në Qendrën Spitalore të Burgjeve në Tiranë. Në institucionin e Fierit ka mbetur Denis Bajri.

Në lidhje me ngjarjen janë marrë në pyetje gjashtë punonjës të policisë së burgjeve. Katër prej tyre pritet të pezullohen nga detyra, pasi dyshohet se kanë neglizhuar rregullat dhe masat e sigurisë gjatë kohës që ishin në shërbim.

Sipas të dhënave paraprake, Denis Bajri, Aldo Gjini dhe Jurgen Zotaj njiheshin më herët dhe kishin pasur marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin. Konflikti dyshohet se ka nisur pas një debati të momentit.

Mësohet se Gjini dhe Zotaj janë afruar në sektorin ku ndodhej Bajri, pasi ky i fundit ishte pyetur nëse i priste për kafe. Pas takimit, tre të dënuarit janë zhvendosur në një ambient tjetër, ku nuk kishte kamera sigurie.

Në dëshminë e tij, Bajri ka deklaruar se është sulmuar me një send të improvizuar, ndërsa ka mohuar të ketë pasur konflikt të mëparshëm me dy të dënuarit e tjerë.

Hetimet vijojnë për të sqaruar dinamikën e plotë të incidentit dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një konflikt spontan apo nëse ngjarja ka qenë e planifikuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB