
TIRANË – Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është paraqitur këtë të premte në ambientet e SPAK, për të firmosur përpara oficerëve të BKH-së. Ndaj tij, janë caktuar masat e sigurisë “deyrim paraqitje” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit”, për koncesionin e Sterilizimit.
SPAK e akuzon Beqajn për koncesionin e Sterilizimit për pajisjet kirurgjikale, një kontratë koncesionare 10-vjeçare afro 100 milionë dollarëshe, e cila u firmos në dhjetor 2015 dhe ende vazhdon.
Prokuroria e Posaçme akuzoi Beqajn se ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës, në lidhje me procedurat e ndjekura për koncesionin e Sterilizimit. Ish-ministri i Shëndetësisë është nën akuzë për shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike.
Më datë 24 nëntor, Ilir Beqaj është paraqitur në SPAK për herë të parë, pasi ndaj tij u caktua masa e sigurisë. Ish-ministri do të duhet të paraqitet çdo të premte në orën 13:30 pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme. Në lidhje me koncesionin e Sterilizimit, në gusht të këtij viti u prangos biznesmeni Ilir Rrapaj dhe zv ministri në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj./Zëri.ai/