Aktualitet

Kamarieri 15-vjeçar i picerisë u qëllua me pistoletë stilolaps, kushërira: Ishte plumb qorr

Në tavolinë kanë qenë tre persona, i mituri me kushërirën e tij dhe autori i plagosjes.

F.I
Kamarieri 15-vjeçar i picerisë u qëllua me pistoletë
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja me armë zjarri në ambjentet e picerisë 'Fantazia' te 'Ali Demi', Tiranë. Konflikti ka ndodhur mes motoristit të picerisë, Aldi Neziri, 21 vjeç dhe 15-vjeçarit, i cili dyshohet se punonte si kamarier në piceri. 

Në tavolinë kanë qenë tre persona, i mituri me kushërirën e tij dhe autori i plagosjes, i shpallur në kërkim. Motoristi 21-vjeçar pasi ka nxjerrë pistoletën stilolaps (e cila nuk konsiderohet armë zjarri e mirëfilltë, por e modifikuar), e ka shkrepur dhe plumbi e ka kapur 15-vjeçarin në qafë.

I mituri, i marrë në pyetje nga hetuesit nuk është treguar bashkëpunues. Kushërira e 15-vjeçarit po ashtu është marrë në hetim në gjendje të lirë për moskallëzim krimi. Ajo u ka thënë hetuesve se ngjarja ka ndodhur jashtë lokalit dhe plumbi ka ardhur nga lartë, pra plumb qorr. Por pasi hetuesit janë konsultuar me bluzat e bardha, këndi i plumbit në qafë nuk ishte nga lartë poshtë, por drejtë. Në këtë pikë hetimi ngjarja mori rrjedhë tjetër ndërsa u zbulua e gjitha tentativa për ta fshehur.  Arma atipike që u përdor nuk është gjetur.

15-vjeçari kishte rreth 2 javë që ishte punësuar në piceri, pasi ishte piceri e kushëririt e tij dhe kishte nisur punë për ta ndihmuar. Ndërkohë, nuk rezulton të ketë qenë i siguruar apo brenda rregullave të ligji të punës për shkak të moshës. Hetuesit do të kërkojnë informacion te institucionet tjera për të sqaruar situatën ligjore të punësimit.

Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar dhe tre punonjës të picerisë, Ferit Basha, Andi Hyka dhe Keivin Bala, punonjës të picerisë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Punonjësit dyshohet se kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë fshehur pamjet filmike të kamerave të sigurisë në ambjentet e picerisë. Në kërkim është shpallur dhe administratori 24-vjeçar i picerisë ku dhe ndodhi ngjarja, Leonardo Mejdanin./ZËRI

Poll

MOS HUMB