VIENË- Një premtim i veçantë për Shqipërinë vjen aktivisti austriak Günther Fehlinger-Jahn që synon të kandidojë për president të Austrisë në zgjedhjet e vitit 2028, ai është zotuar se do të mundësojë kthimin në Krujë të përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut nëse zgjidhet në këtë post.
Zotimin e tij ai e ka bërë publik përmes një videoje në rrjetet sociale të regjistruar përpara përkrenares dhe shpatës së heroit kombëtar shqiptar të cilat ruhen në Vjenë prej vitit 1806.
Në video Fehlinger-Jahn shprehet se kthimi i armëve të Skënderbeut në Krujë do të ishte një nderim për figurën e heroit shqiptar.
“Si president i Austrisë, zotohem të kthej përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut në Krujë, Shqipëri, për të nderuar mbretin Skënderbe. Zotohem. O Zot, më ndihmo ta përmbush këtë zotim ndaj Skënderbeut, Austrisë dhe Shqipërisë”, tha ai.
Fehlinger-Jahn është kandidat i vetëshpallur për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028. Ai drejton Komitetin Austriak për Zgjerimin e NATO-s dhe prej vitesh është angazhuar për anëtarësimin e Austrisë në aleancë.
Me profesion konsulent biznesi ai ka punuar në Bruksel dhe në Kosovë. Në vitin 2022 ndërmori një fushatë për mbledhjen e firmave kundër neutralitetit austriak dhe në mbështetje të anëtarësimit të Austrisë në NATO./ZËRI